Ervin Bushati, ish-deputeti i Partisë Socialiste tha në studion e “Panorama TV” se lufta kundër krimit të organizuar duhet të kalojë në një tjetër nivel.
Ashtu siç është shprehur edhe më parë, Bushati deklaroi se duhet të ngrihet një gardë finance dhe krimit të goditet tek kapitali, pasi aty dekurajohet.
Sipas Bushatit, policia nuk mund ta luftojë dot e vetme krimin, duhet një bashkëpunim me FBI dhe DEA-n, ndërsa u shpreh se me këtë luftë tashmë ka ardhur koha që të merret ministria e Financave.
“Krimi i organizuar shqiptar është sikur të fshihemi pas gishtit dhe të themi që mund ta luftojë vetëm policia.
Krimi i organizuar nuk mund ta luftojë vetëm policia. Policia mund ta luftojë, por nuk mbaron dot punë. Krimi i organizuar i Shqipërisë i përgjigjet një tregu pan evropian. Ka kapitale të shumta që dalin përtej kapaciteteve të Shqipërisë ndaj nuk mund ta dalë vetëm policia.
Duhet një harmonizim i madh, duhet një bashkëpunim me FBI, DEA, BE dhe për mendimin tim duhet të ngrihet një gardë finance dhe lufta kundër krimit të organizuar duhet të kalojë tek ministria e Financave. Nuk mund ta bëjë dot policia, Policia është për krimin e pasionit, për vjedhje të vogla.
Nëse duam të godasim krimin e organizuar duhet ta godasim tek kapitali, aty dekurajohet. Krimi i organizuar nuk është krim pasioni. Atyre duhet t’i goditet kapitali”, tha Bushati.
