SHKODER- Krimi i rëndë i ndodhur në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka tronditur mbarë vendin. Burrë e grua janë gjetur të vrarë brenda në makinën e tyre tip “Benz” me targë AA006HA, rreth orës 06:40 nga banorë të lagjes “Naim Gjylbegu”, ku edhe ka ndodhur ngjarja.

Mësohet se i vrarë ka mbetur shtetasi Boran Bërçama, ish-efektiv policie në Shkodër, dhe gruaja e tij, Silvana Ndoci, 27 vjeç. Bashkë me ta në makinë në momentin e ngjarjes ndodhej edhe fëmija i tyre, një vjeç, por që fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.

Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje të rëndë, ndërsa dyshohet se ka ndodhur për shkak të detyrës kur Bërçama shërbente në Policinë e Shtetit, pasi së fundmi ishte polic në lirim. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 20 gëzhoja.

Boran Bërçama, rreth 30 vjeç, ka punuar në Komisariatin e Shkodrës si Inspektor Krimesh, e më pas u bë Inspektor Rendi, por pas një mungese të pajustifikuar ai dha dorëheqjen në fund të vitit 2016.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se Bërçama njihej si eksponent krimi, pasi shoqërohej me grupe kriminale.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re