Ministri i Brendshëm, Beldi Çuçi ka marrë pjesë në takimin e 43-të të policëve të kryeqyteteve europiane, ku gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se Shqipëria pati një transformim në mënyrën sesi ka ndikuar për të luftuar krimin e organizuar brenda dhe jashtë kufijve.

Çuçi u shprehe se po ashtu dhe krimi kibernetik po sfidon agjencitë ligjzbatuese dhe po cenon sigurinë e qytetarëve, pasi dhe vetë policia e Shtetit nuk ishte imune ndaj këtij agresioni.

“Sfidë për ne ka qenë shtrirja tërësore e modernizimit të Policisë së Shtetit përmes investimeve në teknologji dhe pajisje inteligjente. Askush më mirë se ju se di që vetëm përmes avantazheve që krijon teknologjia, vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime domethënëse dhe të rrisin cilësisht punën në drejtim të uljes së kriminalitetit në të gjitha format e tij. E megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm që rritja e bashkëpunimit dhe nivelit të modernizimit në punën operacionale, krijon edhe risqe të reja që lidhen me sigurinë sidomos në sferën virtuale, çka kërkon vëmendjen tonë të përbashkët.

Krimi kibernetik po shndërrohet në një formë të re tejet të sofistikuar që po sfidon çdo ditë agjencitë tona ligjzbatuese dhe cenon sigurinë e qytetarëve. As Policia e Shtetit Shqiptar nuk qe imune ndaj agresioneve kibernetike të këti lloji. Ndaj ne kemi nisur një etapë të re dhe të vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike. Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë europiane nga vendet tuaja është e mirëpritur. Me këtë panoramë jam i bindur se dita do të vijojë në formë të frytshme, për të diskutuar hapur dhe gjetur zgjidhje praktike mbi sfidat me të cilat përballen policitë në të gjitha vendet tuaja”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re