Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në fshatin Zvezdë të Maliqit, ngjarje e cila fillimisht u raportuar edhe nga policia si aksidentale.

 

Por mëngjesin e kësaj të shtune grupi i hetimit ka dalë në përfundimin se kemi të bëjmë me një vrasje brenda familjes Bylykbashi.

 

Sipas policisë 77-vjeçari Shefki Bylykbashi pas një debati të çastit ka goditur me sende të forta djalin e tij Hamdi Bylykbashi, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë. Për pasojë 50-vjecari ka gjetur vdekjen rrugës për në spitalin rajonal.

 

Mësohet se 50-vjecari, në gjendje të dehur ka debatuar ashpër me të dy prindërit në oborrin e banesës së tyre, në qendër të fshatit. Në konflikt e sipër sipas policisë, viktima ka tentuar të hedhë babin e tij 77-vjeçar në pusin e shtëpisë.

 

Pasi është shmangur Shefki Bylykbashi ka arritur të marrë një çekan dhe me të ka goditur disa herë djalin e tij të vetëm.

 

Kryeplaku i fshatit Adriatik Lilo tha se që pas kthimit nga Franca ku jetonte si emigrant, 50-vjecari Hamdi Bylykbashi, dy herë i divorcuar, konsumonte rregullisht alkool. Të njëjtën gjë ka bërë dhe një ditë më parë.

 

Grupi i hetimit ka marrë në pyetje nënën e viktimës, por edhe të afërm e banorë të tjerë të cilët kanë pasur dijeni për ngjarjen e rëndë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re