TIRANË 22 tetor /ATSH-I.Vata/ Drejtoria Vendore e Policisë  Berat vijon zbatimin e planit të masave për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore.

Në vijim të kontrollit të ushtruar për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht 5 shtetas.

“F.D., 39 vjeç, banues në Novaj, Skrapar, pasi u konstatua nga shërbimet e IKMT, në vendin e quajtur fabrika e ujit “Bogova”, me një mjet të ngarkuar me pllaka guri dekorative pa dokumentacionin përkatës, të cilët dyshohet të jenë nxjerrë në Malin e Tomorit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik proceduan penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit F.Z., 44 vjeç, banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat dhe Ç.K., banues në lagjen “Estref Caka”, Çorovodë, pasi u konstatuan nga shërbimet e policisë duke transportuar me mjet, lëndë drusore, pa dokumentacion dhe pa leje përkatëse.  Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Stacionin e Policisë Dimal, u procedua penalisht shtetasi N.S., 54 vjeç, banues në Skrevan, Dimal, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë në bashkëpunim me IKMT, u konstatua duke kryer ndërtim pa leje.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re