Policia e Vlorës ka nisur kontrollet për zbulimin e kamerave të sigurisë që janë instaluar nga grupet kriminale në rrugët e qytetit.
Aksioni ka nisur mëngjesin e kësaj të enjteje, ndërsa detajet e operacionit pritet të bëhen publike në orët në vijim.
Sipas burimeve, në lupën e uniformave blu po kalojnë jo vetëm kamerat e instaluara përgjatë akseve rrugore por edhe ato të bizneseve pasi ka dyshime se serverat e tyre mund të përdoren nga eksponentë të krimit për të monitoruar lëvizjet rreth zonave të caktuara.
Nga ana tjetër, agjentët po krehin të gjitha lagjet e qytetit për të evidentuar vendet ku mund të jenë vendosur kamera të tjera sigurie në kundërshtim me ligjin veç atyre të policisë së shtetit.
Në shumë pjesë të qytetit të Vlorës janë vendosur kamera sigurie në hapësira publike që nuk i takojnë biznesit A. Këto kamera sigurie cenojnë privatësinë e individëve, por dyshimet më të mëdha janë se pajisje monitoruese mund edhe te përdoren nga eksponentë të krimit të organizuar.
Ndërkohë policia e Shkodrës ka shoqëruar 5 persona për 38 kamerat e sigurisë të hequra një ditë më parë. Por dëshmitë e tyre nuk dhanë rezultat sa i takon personave që i kanë vendosur ato. Deri më tani në qytetin verilindor uniformat blu kanë hequr 59 kamera sigurie të vendosura në lagje të ndryshme nga grupet kriminale.