Skip to content

“Krimin në Fier e kreu më 5 nëntor shteti”, gazetari zbulon bisedën me përfaqësuesin e akuzës: Lëvizni pra, do iu zbresë në sallonin e shtëpisë

Nga Fatjon Gjinaj:
Krimin në Fier e kreu me datë 5 nëntor shteti
Kriminale deklaratat e fillim nëntorit nga anëtarë të kabinetit qeveritar për mbylljen institucionit të trajtimit të personave me probleme mendore që kanë kryer vepra penale të Zaharisë dhe transferimit të të dënuarve në Shënkoll. Një tunel në ish-Sheshin “Shqiponja” të ishte shtyrë për të kaluar paratë në ndërtimin e një qendre të re, por nuk ndodhi, e njësoj si qentë e rrugës që në vend ti vaksinojnë, i vrasin, i lirojnë këta psikopatë por me një dallim të madh, qentë vriten, këta vrasin, fëmijë e vajza (siç ishte rasti i Sabrinës), nëna e bashkëshorte.

Zaharia po mbyllet nga mjerimi i mosvënies dorë në ato mure, në këtë vend ku janë ndërtuar gjëra të çuditshme e pa pikë vlere, duke kushtuar miliona euro vetëm e vetëm për propagandë, nuk ndërtohet një institucion, që do të ishte mekanizëm për të shpëtuar e rregulluar jetën e shoqërinë.
“Kam ndjekur dhjetra çështje, ku janë ndaluar këta psikopatë, janë gjykuar dhe janë caktuar masa të forta. Kur dal ndonjëherë rrugëve të qytetit, i shoh me shumicë trutuareve të lirë. Pyes pse dolën, dhe përgjigjja e zakonshme është “Me rekomandim mjeku”. Por si ndodh kjo? Zaharia dha shpirt, qendra të tjera nuk ka. I dënuari bën kërkesë për ndryshim mase me rekomandim të mjekut, për gjykatën firma e mjekut është provë. Por a është e ligjshme? S’është as e ligjshme, as e moralshme dhe as logjike.

Por ka një marrëveshje të pashkruar. Ai që ndodhet brenda, nëse është më pak i rrezikshëm se ai që është i rrezikshëm por i freskët në liri, del dhe i liron vendin. Kë do akuzojmë? Të gjithë janë për urdhër-arreste, me mjekun që lëshon rekomandimin, me prokurorin që bën sikur se merr vesh lirimin e tyre, me gjyqtarin që ndryshon masën, me ministrin e Drejtësisë dhe atë të Shëndetësisë përfshirë Kryeministrin e drejtuesin vendor që nuk ndërtojnë një qendër të re, një sistem ti ri, një mekanizëm as më pak e as më shumë se një copë tenderi rruge që i kushton miliona kilomentri”. Tragjikisht, ky është mesazhi që më dha pak minuta më parë dhe pak minuta pas ngjarjes traumatike në Grecalli të Fierit një autoritet.

Zaharia u kthye në një skandal të disavjetshëm që denoncohej nga media dhe grupe interesi, por sidomos vendimtare për mbylljen e saj e kushtet çnjerëzore ishte këmbëngulja e organizatave ndërkombëtare, veçanërisht ato të të Drejtave të Njeriut. Zaharia ka parë shumë dhe ka lënë pas një mallkim të madh për ç’kanë parë muret dhe gurët e saj për njeriun e përbindshëm të këtij shekulli të ri, ku s’ka më klithëse të kalosh para Parlamentit të Shqipërisë dhe të shikosh autokolonat superluksoze të makinave, me truproje e shoferë, me zuska e zuzarë të kollarisur e pispillosur, ndërsa vetëm pak metra më tutje, të çmendurit shtrijnë dorën për të lypur diku-diku, të rrëzuar nga marrje-mendja e rakisë në tru diku tjetër, nga dremitja e një nate të gjatë në të ftohtë pak më tutje, e pak më thellë, në një rrugicë, një shtëpi me tavanë të rënë, dyer e dritare të shqyera, me një ndriçim të frikshëm, ku jeton një tjetër i çmendur që sa ka dalë nga burgu. Ai ka abuzuar me një të mitur, ka tentuar ta përdhunojë, ka çarë me thikë një nxënës shkolle, ka rrahur të ëmën që është divorcuar nga bashkëshorti i saj pijanec që ndodhet në një burg atje në fund të dheut të Greqisë. Ai është aty brenda, gati për të kryer krimin e radhës, mes jush e nesh do të jetë, me datën 11 apo 18 në majë të gjuhës, pastaj ulemi në atë dreq divani, dhe shtangemi shohim fleshet informative, lidhjet live të reporterëve nga vendngjarja, madje edhe komentojmë “harbutërinë” e tyre se sa të poshtër e të pashpirt janë. Sytë që iu pëllcasin, shikojeni pra, trondituni pra, lëvizni pra se ajo që shikoni në atë dreq ekrani, do të dalë një ditë prej tij befas duke iu zbritur në sallonin e shtëpisë tuaj.

/faxweb