Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë për mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve ndaj disa figurave të njohura politike që gjujatën me armë zjarri në oden e zv.kryeministrit Fatmir Limaj.

Lajmin e konfirmoi prokurori Ismet Tofaj.

“Është ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave që janë parë duke gjujtur. Është Dardan Gashi, Sami Lushtaku, Endrit Shala. Aktakuza është mbajtje nën kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”, tha Tofaj për kallxo.com.

Kujtojmë se Limaj, mblodhi miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës fundit e vitit që lamë pas për të gostitur ata, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.

Me sofra të shtruara e me muzikë nga folklori shqiptar, të ftuarit festuan së bashku. Por muzika nuk mjaftoi të ndeznin atmosferën andaj gjujatën edhe me armë nga dritarja e dhomës ku qëndronin pa vrarë mendjen se plumbi qorr mund ta lëndonte apo vriste ndonjë person.

I ulur këmbëkryq, Sami Lushtaku pa u ngritur fare në këmbë nxjerr armën dhe shtie diku jashtë. Pas tij, gjuan me armë Endrit Shala i cili po ashtu ishte i akuzuar në grupin e MTPT-së dhe i liruar nga akuzat.

Dhe për fund ministri i Diasporës, Dardan Gashi del në dritare dhe zbraz rafalin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re