Skip to content

Kristian Marku u ekzekutua në autostradën Fier-Vlorë, gazetarja zbulon detaje për atentatin: Autorët dyshohet se u arratisën në drejtim të…

Gazetarja Glidona Daci foli sot në emisionin “Open” në News 24 lidhur me atentatin që tronditi mbrëmjen e sotme vendin tonë, ku 30-vjeçari Kristian Mraku u ekzekutua në makinën e tij në autostradën Fier-Vlorë nga persona ende të paidentifikuar.

Sipas burimeve paraprake, gazetarja thotë se viktima po udhëtonte i vetëm në makinë, ndërsa dyshohet se autorët ishin tre persona. Mendohet se pas atentatit janë arratisur në drejtim të Fierit.

Gazetarja tha se në autostradë u gjetën në total 10 gëzhoja.

LEXO EDHE: Viktima e atentatit në autostradën Fier- Vlorë, lidhje familjare me Martin Bardhin! Si tentuan të eliminonin nipin e Kastriot Reçit rreth dy vite më parë, në Mirditë! Skeda e Kristian Markut

“Sipas policisë ka ndodhur atentat, viktima po udhëtonte i vetëm nga Fieri drejt Vlorës. Dyshohet se autorët kanë qenë tre persona, por pritet të konfirmohet në vijim. Janë sekuestruar 9 gëzhoja në një vend pushimi, një e dhjetë është gjetur 1 kilometër më pas. Kjo ngre pikpyetje nëse ai është qëlluar kur ka qenë duke lëvizur me automjetin. Dyshime ka se autorët janë kthyer sërish në drejtim të Fierit, të gjitha janë dyshime paraprake. Kanë dyshime se Marku është vëzhguar në të gjitha lëvizjet që ka kryer”, tha gazetarja.

Kristian Marku, 30-vjeçari që u vra mbrëmjen e sotme (13 janar) në autostradën Fier-Vlorë, nuk është një emër i panjohur për policinë.

Kristian Marku alias Kristi Bardhi, është me precedentë penal për “Vrasje me dashje ne bashkëpunim mbetur ne tentative” dhe “Mbajtja pa leje e armeve te zjarrit dhe municionit luftarak”.

Në mars të vitit 2023, në Rrëshen, pas një konflikti u qëllua me armë automjeti me të cilin lëvizte Saimir Reçi. Për këtë ngjarje u vu në pranga Martin Bardhi (i vrarë në shtator 2023), ndërsa në kërkim u shpallën djali i tij, Enrik Bardhi dhe nipi Krist Bardhi (viktima e mbrëmjes së sotme).

Ngjarja

Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin në mes të qytetit.

Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi, i cili rezulton të jetë nipi i Kastriot Reçit, pronarit të televizionit lokal në Lezhë, i vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.

Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMË, çka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun Reçi pa marrë lëndime. Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shpalli në kërkim baba e bir Enrik dhe Martin Bardhi të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Kërkimet intensive bënë të mundur ndalimin e njërit prej të kërkuarve dhe policia saktësoi se ka rënë në pranga Martin Bardhi, e ndërsa djali i tij dhe nipi u shpallën në kërkim.

I arrestuar për armëmbajtje pa leje

Në shtator të vitit 2023, Kristian Marku është arrestuar në kuadër të një operacioni policor të koduar “Tentativa”, ku iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë me fishekë në të.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas që lëvizte me automjet, posedonte armë zjarri, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, vunë në pranga për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, Markun.

I riu, aso kohe 28 vjeç, në afërsi të fshatit Shëmri, Kurbin, shërbimet e Policisë e sinjalizuan për të ndaluar automjetin që drejtonte dhe ai sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka hedhur nga dritarja e automjetit, një armë zjarri pistoletë me fishekë në të, të cilën e posedonte pa leje.

Shërbimet e Policisë e gjetën armën e zjarrit dhe e sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

“”