Një zë i fortë dhe kritik për buxhetin 2022 në Kuvend ishte deputeti socialist, Erion Braçe, ish-zëvendësministër, mëngjesin e së hënës ishte i ftuar në Dita Jonë.

Në A2 CNN, ai u shpreh se paketa fiskale godiste shumicën dhe nuk merrej me pakicën që grumbullon para në këtë vend.

“Disa të vërteta duhen thënë, për më tepër kur vendosen tatime dhe taksa. Politika fiskale nuk mund të jetë e personalizuar. Paketa fiskale kishte disa veçanti, por më e rëndësishmja, në gjykimin tim, godiste shumicën dhe nuk merrej me pakicën që grumbullon para në këtë vend”, u shpreh Braçe.

I pyetur nëse kemi të bëjmë me një qeverisje të kapur dhe që nuk mund të veprojë për interesat e qytetarëve, Braçe u shpreh ndryshe, duke thënë se ka interesa që gjejnë përkrahje.

“Nuk besoj ende se kemi një qeveri të kapur, por kemi interesa që gjejnë përkrahje shumë të gjerë brenda qeverisë, ashtu siç duhet të ndodhte që interesat e një shumice dërrmuese, siç janë prodhuesit vendas të produkteve bujqësore blegtorale, duhet të kishin gjetur mbështetje akoma më të madhe se këta. Duhet një ekuilibër mes biznesmenëve dhe prodhuesve të vegjël”, tha Braçe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re