Në prag të nisjes së sezonit të ri televiziv, lajmet për mbylljen e
njëkohshme të emisioneve “Të paekspozuarit” i Ylli Rakipit dhe “Krasta/A
Show” i Adi Krastës u pasuan me një furtunë reagimesh në rrjetet
sociale dhe shqetësime të reja për gjendjen e lirisë së medias në
Shqipëri.

Të dy emisionet ishin kritike me kryeministrin Edi Rama dhe
transmetoheshin prej një viti në të njëjtin televizion informativ “News
24” në pronësinë e botuesit Irfan Hysenbelliu.

Gazetari Ylli Rakipi akuzoi në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë e
kryeministrit Rama për mbylljen e emisionit dhe prishjen e kontratës së
tij me televizonin “News 24”.

“Emisioni u mbyll nga presioni direkt i qeverisë. Ka pasur gjithmonë
presion për ta mbyllur emisionin dhe vetë Edi Rama ka dhënë urdhër që
përfaqësues të qeverisë të mos vinin në studion e emisionit,” tha Rakipi
për BIRN.

“Të Paekspozuarit”, emision me të ftuar të përhershëm analistët
kritikë, Fatos Lubonja dhe Andi Bushati, publikoi në dhjetor 2018
skandalin e falsifikimit me një prej tenderave të Unazës së Re, për të cilin prokuroria ka filluar hetimet.

“Kisha dhe një vit kontratë dhe nuk m’u dha asnjë arsye për
mbylljen,” shtoi Rakipi, duke dhënë si motiv të mbylljes së emisionit,
ekspozimin e disa aferave korruptive të qeverisë.

Edhe gazetari Adi Krasta njihet për qëndrimet e forta publike kundër
qeverisjeve abuzive, përfshirë atë aktualen. I kontaktuar nga BIRN,
Krasta tha se nuk prononcohet.

Gazetari Ylli Rakipi është vendosur shpesh në shënjestrën e
kryeministrit Rama, duke u quajtur prej tij  “kazan” ose “Kadri”,
etiketa që i përdor rëndom ndaj gazetarëve kritikë. Në muajin prill, Rama ngriti një padi
gjyqësore ndaj Rakipit, duke e akuzuar atë se përmes një opinioni i ka
cënuar imazhin para publikut “në mënyrë të pakthyeshme”. Rakipi u
përgjigj me një kundërpadi.

Presidenti i “Focus Group”, Irfan Hysenbelliu hodhi poshtë zërat se
mbyllja e emisioneve vinte si pasojë e presionit të qeverisë dhe i
motivoi spostimet e dy gazetarëve me “reformën e brendshme”. Ai tha se
televizioni kishte në projekt një emision të ngjashëm nga e hëna në të
enjte, me një prej analistëve më të njohur në vend, ndërsa shtoi se
ishte menduar që “kjo i shkonte më shumë natyrës së televizionit”.

“Nuk kanë guxuar të më bëjnë presion as kjo qeveri dhe asnjë nga
qeveritë e kaluara. Kjo është arsyeja që mediat që zotëroj kanë
audiencën dhe besueshmërinë më të lartë në treg.”, tha Hysenbelliu për
BIRN.  “Zotin Rakipi nuk e kam marrë asnjëherë në telefon për
përmbajtjen e emisionit. Po të kisha pasur presion, do kishte pasur dhe
ndërhyrje,” iu përgjigj ai akuzave.

I pyetur për ndërprerjen para kohe të kontratës, Hysenbelliu u
justifikua me faktin se edhe Ylli Rakipi më herët nuk e kishte
respektuar një kontratë me televizonin, duke e lënë televizionin në mes
të sezonit, por ishte punësuar sërish prej tij.

Sa i përket emisionit “Krasta/ A Show”, Hysenbelliu tha se Adi
Krastës i ishte ishte ofruar një hapësirë tjetër televizive në fundjavë
dhe se “i takon atij të vendosë”.

Mbyllja e dy emisioneve kritike me qeverinë u komentua gjerësisht në
rrjetet sociale në lakmusin e gjendjes së lirisë së medias në Shqipëri; e
cila sipas indeksit të organizatës “Reporterë pa Kufij” shënoi një
rënie drastike prej shtatë vendesh në vitin 2019.

Ndërkohë, shqetësime në rritje i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama
për gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur ndaj gazetarëve kritikë –
dhe së fundmi për përpjekjet e tij për të miratuar një paketë ligjesh
për rregullimin e medias online.

Qeveria i quan ndryshimet ligjore si “paketa antishpifje”, por
organizatat vendase dhe ndërkombëtare të medias i konsiderojnë ato si
ligje drakoniane dhe në shkelje të standardeve ndërkombëtare dhe i kanë
bërë thirrje kryeministrit Rama që t’i tërheqë ato pas.  Projektligjet
gjenden aktualisht në axhendën parlamentare dhe kryeministri është
shprehur i vendosur për t’i miratuar ato.

I pyetur mbi pretendimet se qeveria qëndronte pas mbylljes së
emisioneve kritike, zyra e shtypit e kryeministrit i konsideroi ato
shpifje dhe imagjinatë të gazetarit dhe paralajmëroi padi të reja në
gjykatë.

“Ne kemi prej kohësh një skuadër ligjore që shpifjet i adreson në
gjykatë. Në dijeninë time, edhe kjo valë shpifjesh për sa pyesni, është
duke u vlerësuar nga skuadra në fjalë,” tha Endri Fuga, drejtor i
komunikimit të Kryeministrisë për BIRN.

“Kryeministri nuk ka asgjë më shumë për të thënë. Jetojmë në kohën e Fake News, por ne vazhdojmë të besojmë se e vërteta nuk harron asnjëherë,” përfundoi Fuga./Vladimir Karaj/Birn/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re