Mbajtësit e tre listave që fituan shumicën në zgjedhjet e fundit parlamentare të Malit të Zi – Zdravko Krivokapiç, Aleks Beçiç dhe Dritan Abazoviç – nënshkruan një marrëveshje duke premtuar, ndër të tjera, se qeveria e re nuk do të nisë asnjë iniciativë ose procedurë për të ndryshuar flamurin e shtetit, stemat dhe himnet, raporton Podgorica News.

Media malazeze deklaron se udhëheqësit e koalicioneve “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “Bardh e zi”, të cilët fituan shumicën e kërkuar në zgjedhje për të formuar një qeveri, nënshkruan marrëveshjen.

Marrëveshja thotë se qeveria e re malazeze do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare të ndërmarra nga shteti, të forcojë dhe përmirësojë bashkëpunimin me NATO-n dhe të zbatojë shpejt, plotësisht dhe me përkushtim të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin e plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Pa hakmarrje

“Që qeveria e re demokratike do të depolitizojë plotësisht institucionet kryesore qeveritare në mënyrë që të sigurojë një luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Që qeveria e re demokratike do të respektojë Kushtetutën dhe në atë drejtim nuk do të fillojë asnjë iniciativë ose procedurë me synimin për të ndryshuar flamurin shtetëror, stemën dhe himnin,” thuhet në marrëveshje.

Gjithashtu, shtohet, qeveria e re nuk do të fillojë procedurën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, sipas Vijesti-t.

Shtohet gjuthashtu se qeveria e re nuk do të hakmerret në baza politike ose në ndonjë bazë tjetër, do të miratojë dhe rishikojë të gjitha ligjet në përputhje me standardet evropiane me qëllim të integrimit më të shpejtë të Malit të Zi në BE dhe do të lejojë partitë e pakicave të marrin pjesë në qeveri statusi parlamentar apo jo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re