Skip to content

Kriza e energjisë/ Civici: Rama parashtroi atë që ka muaj që diskutohet në të gjitha shtetet, rritja e çmimit do ndikonte direkt te shtresat në nevojë

Eksperti i Ekonomisë Adrian Civici, ka qenë i ftuar në emisionin “Me Xhaxhiun” që transmetohet në Fax News, klu ka folur në lidhje me krizën energjitike, që ka kanosur pothuajse të gjitha shtetet, e faktorizuar nga faktorë klimaterikë dhe gjeopolitikë.

Sa i takon Shqipërisë, Civici tha se ne jemi qartësisht të varur nga situata në tregjet botërore, dhe shteti do të luajë një rol mbrojtës për shtresat në nëvojë, lëvizje e cila pritet që të rrisë më tej infacionin.

Profesori i ekonomisë u shpreh se në vendin tonë nuk ka pasur asnjëherë politika afatgjata sa i takon sektorit të energjisë, dhe kjo bën që ne të varemi në mënyë të ndjeshme nga importi nga shtete të tjera.

“Ajo që parashtroi zoti Rama është në fakt ajo që ka javë dhe muaj që diskutimet janë prezente në vende të tjera, dhe në vende afër Shqipërisë. Bëhet fjalë për dy fenomene, që i pari është rritja e inflacionit, sasia e tepërt e parave të hedhura në qarkullim, për të kompesuar dhe për të mbajtur në punë bizneset e prekur nga pandemia. Dhe nga ana tjetër një frenim i madh që pati konsumi familjar dhe prodhues.

Ka një tendecë të rritjes të çmimeve, më pas janë faktorët klimaterikë dhe gjeopolitik, me verë të thatë dhe një dimër që parashikohet të jetë i ftohtë. Kjo ka shkaktuar konfuzion në tregje, pa folur për çmimin e lëndëve të para.

Në vendet që kanë prioritet gazin, si në Europën Veriore, vende që varen nga gazi rus, futen dhe problemet gjeopolitike. Nuk kishte si të mbetej pas dhe çmimi i naftës, që po kërkohet si kompesuese për energjinë. Parashikimet janë që në nivel global, në 5-6 muajt e ardhshëm të ketë rritje të çmimeve të naftës, gazit dhe energjisë, ndoshta dhe më shumë se kaq ka pikëpyetje nëse do të ketë sasi të mjaftueshme për t’u furnizuar.

Jo vetëm për vende si Shqipëria, të gjithë po bëjnë llogaritë sa do të preken. Për Shqipërinë duhet parë në dy aspekte, çfarë mundësi kemi ne për ta përballuar krizën, dhe me mundësitë e përmirësimit të menaxhimit të krizës. Vendet reagojnë në mënyra të ndryshme, vendet e zhvilluara po shqetësohen për funksionimin e industrisë.

Për vende si Shqipëria nuk është problemi te industria, por te shtresat në nevojë, që një rritje sado e vogël, ndikon menjëherë në cilësinë blerëse. Pas tyre vjen përdoruesi familjar dhe biznesi i vogël. Për rastin e shqipërisë problemi më i madh është rritja e çmimit dhe e inflacionit.

Fatkeqësisht muajt e fundit kanë qenë të thatë dhe pa rreshje, nuk garantohet prodhim masiv i energjisë elektrike, duke qenë vend importues i energjisë elektrike, ndihen menjëherë rritjet e çmimeve në tregun e jashtëm. Politikat tona kanë qenë 4 vjeçare dhe në rastin më të mirë 8 vjeçare, në varësi të politikanëve”, u shpreh Civici gjatë fjalës së tij në Fax News.

/faxweb