Ditën e sotme ka nisur sesioni dy-ditor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku në fokus të takimit qëndron diskutimi rreth problematikave të krijuara nga pandemia. Rreth 100 lider nga vende të ndryshme të botës pritet të paraqesin qasjen e tyre ndaj menaxhimit të pandemisë, si dhe përballimin e krizës ekonomike të shkaktuar prej saj.

Gjatë fjalës së tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres prezantoi një plan botëror masash për përballimin e situatave të tilla në të ardhmen. Mbulimi universal shëndetësor duhet të jetë një nga prioritetet kyç të OKB-së, deklaroi Guterres.

“Duhet një sistem shëndetësor më i fortë, mbulimi universal shëndetësor duhet të jetë prioritet. Një kontratë e re sociale me qeveritë mund të adresojë padrejtësitë. Nuk mund ta lemë planetin me një borxh të madh dhe probleme klimatike. Duam një botë më të gjelbër.

Të veprojmë tani, për të vendosur një taksë mbi karbonin. 2021 duhet të jetë një vit nismëtar për neutralitetin e karbonit që të bëhet realitet në 2050. Qindra miliona dollarë duhet të shkojnë për vendet në zhvillim. Nuk mund të ndajmë mirëqenien njerëzore nga biodiversiteti.

Mbi-peshkimi duhet të ndalojë, shkarkimet kimike dhe plastika në oqeane duhet të marrë fund. Në një krizë globale duhet të përmbushim detyrimet për ata që iu shërbejmë. Ta luftojmë Covid-19 me urgjencë, të shpëtojmë jetë dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë”, tha ndër të tjera Guterres.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re