Raporti vjetor i Entit Rregullator ka zbuluar të dhëna befasuese lidhur me krizën e furnizimit me ujë të popullatës. Në vitin 2019, 40% e ujit të përdorur në Shqipëri, nuk është arkëtuar.

Kështu konkludon raporti vjetor i Entit Rregullator të Ujit, i cili nxjerr në pah se rreth 200 mijë abonentë nuk kanë matësa. Ndër të tjera, kohëzgjatja e furnizimit me ujë në shkallë vendi është 13.2 orë në 24 orë.

Sipas raportit, 8 shoqëri të ujësjellësve, të cilat i përgjigjen nevojave të qyteteve të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, veprojnë të palicensuara nga Enti Rregullator i Ujit si pasojë e mungesës Akt Miratimit Higjeno- Sanitar nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor.

Një tjetër e dhënë në raport lidhet me efiçencën e stafit, ku gjatë vitit 2019 numri i lidhjeve të ujit është rritur me rreth 24 lidhje dhe ai i kanalizimeve me rreth 31 lidhje, por nga ana tjetër raporti thekson se kjo nuk ka patur efekt pozitiv në përmirësimin e këtij treguesi “duke qenë se shoqëritë UK janë të mbingarkuara me punonjës të pajustifikuar, rritja e të cilëve është evidente sidomos në vitet zgjedhore siç ishte viti 2019.”

Ndërkaq, sa i përket kostove dhe të ardhurave, nga raporti del në pah se Kostot Operative dhe të Mirëmbajtjes për vitin 2019, janë rritur në shifrën e 1.3 miliard lekëve, krahasimisht me të ardhurat të cilat janë në shifrën e 584 milionë lekëve. /euronews albania/
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=xlu-oVnH6OY]

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re