Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati Lulzim Basha ka deklaruar se kriza energjetike, për të cilën flet qeveria, nuk është për këta të fundit, por për qytetarët shqiptarë.

Sipas kreut të demokratëve, vetëm mes shtatorit dhe tetorit të këtij viti qeveria i ka krijuar qytetarëve shqiptarë një dëm ekonomik prej më shumë se 39 milionë euro.

“Vetëm midis shtatorit dhe tetorit i kanë krijuar qytetarëve shqiptar një dëm ekonomik prej më shumë se 39 milionë euro.

Për ndërtimin e tunelit të Llogarasë keni përzgjedhur kompaninë që ka ofertën më të lartë, 12 milionë euro më shumë. Pse?

Për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës keni përzgjedhur ofertat më të larta, 17.4 milionë euro më shumë. Pse?

Tre blerje të energjisë me çmime më të larta se ato të bursës, më shumë se 10 milionë euro. Pse?

Sigurisht as unë dhe as qytetarët, nuk e presim përgjigjen nga ju për këto pikëpyetje, sepse në një shtet të kapur nga korrupsioni, përgjigja është e qartë.
Kriza për të cilën flisni nuk është për ju, por për qytetarët.

Prandaj doni t’i trembni, doni t’i mbani në ankth, t’u thoni që kjo është një fatkeqësi natyrore, sepse doni të mbuloni mynxyrat tuaja”, u shpreh Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re