‘Kriza energjetike është tek dera’, Murati: Qeveria e Kosovës të reagojë me urgjencë

valon-krasniqi.png

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka dhënë një vështrim lidhur me paralajmërimin për krizën energjetike, që tashmë e ka goditur një pjesë të botës.

Ai ka theksuar ndërhyrjen që thotë se duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës, ndërsa ka kujtuar se qeveria e Shqipërisë ka shpallur emergjencën kombëtare. Murati shkruan se thëngjilli, që është burimi prej të cilit varet energjia e Kosovës, nuk garanton siguri gjatë sezonit të dimrit.

“Kriza energjetike po duket që po na troket në derë, e njëkohësisht me të rritja e çmimeve apo edhe ndërprerjet e energjisë elektrike.

Evropa, por edhe shtete si Kina e India janë në alarm. Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë filluar të marrin masat për të zbutur pasojat në dimrin që po hyjmë.

Ka nga ata që po luten që dimri të jetë i butë. Qeveria shqiptare ka shpallur emergjencën kombëtare dhe ka përcaktuar masat që do të marrë për të mbrojtur konsumatorët, sidomos ata më të varfrit si dhe bizneset e vogla. Kosova, është në një bllok energjetik me Shqipërinë, por që për dallim prej saj, varet kryesisht nga një burim energjetik, thëngjilli, e që për sezonin e dimrit nuk garanton siguri”, ka shkruar Murati.

Duke paralajmëruar Qeverinë e Kosovës për mungesën e energjisë në tregun në të cilin Kosova është konsumatore, Murati sheh se mungesa e energjisë në këtë treg nuk po e alarmon sa duhet Qeverinë. Ai ka kërkuar reagim urgjent.

“Kosova zakonisht blen energji elektrike gjatë dimrit, dhe kjo mund të na e vështirësojë jetën kësaj radhe për shkak të mungesës së energjisë në treg dhe çmimeve me të cilën duhet blerë ajo. Sidoqoftë, disi nuk po duket që qeveria jonë dhe institucionet përkatëse janë alarmuar nga kjo gjende.

Është momenti që qeveria e Kosovës së bashku me institucionet përkatëse, përfshirë Kuvendin e Kosovës të reagojë me urgjencë, qoftë edhe të shpallë gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të tejkalojë në këtë situatë kufizimet që parashohin ligjet ekzistuese. Gjithashtu për shkak edhe të komplementaritetit duhet të bashkëpunohet me shtetin shqiptar që të koordinohen politikat në përballimin e situatës”, ka shkruar kryetari i LB-së.

Ai e ka shtruar edhe çështjen e mosinfomimit të qytetarëve lidhur me krizën që pashmangshëm pritet ta prekë edhe Kosovën.

“Së paku të gjithë ne e meritojmë të dimë se si e kemi gjendjen, çfarë masash po merren, dhe cila do të jetë barra jonë si qytetarë dhe cila barra e bizneseve. Andaj është koha që qeveria të paralajmërojë, të reagojë dhe mbi të gjitha të veprojë. Ndërsa ne si qytetarë, të gjithë pa dallim, mund të ndihmojmë duke mos shpenzuar vend e pavend”, ka shkruar Murati.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë