Qeveria i është bërë mburojë konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një komunikimi me qytetarët në lidhje me krizën energjetike.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria po përballet me krizën, por masat e qeverisë nuk po e lenë atë që të bëhet barrë në kurriz të qytetarëve.

“Fakti që në Shqipëri kriza energjetike nuk po ndjehet në familje, nuk po ndihet në biznese nuk do të thotë që Shqipëria nuk po përballet me një krizë energjetike, por do të thotë që Shqipëria po ia del të përballë krizën energjetike pa e lënë atë të rrëshqasë në kurriz të qytetarëve, të konsumatorëve familjarë, apo bizneseve, pasi qeveria iu është bërë atyre mburojë sikurse u jemi zotuar.

Por ama kjo është një përballje e përditshme, përballje që ka kosto, patjetër se nuk është përballje trup me trup dhe natyrisht që krizës energjetike nuk mund t’i vemë një bravë apo t’i ndryshojmë çelësin. Duhet ta përballim”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re