Kriza e të drejtave të njeriut dhe humanitare në Afganistan, ku uria kërcënon miliona njerëz, do të jetë në qendër të bisedimeve që fillojnë të dielën në Oslo midis talebanëve, Perëndimit dhe anëtarëve të shoqërisë civile afgane.

Në vizitën e parë në Evropë që nga kthimi në pushtet në gusht, talebanët do të takohen me zyrtarë norvegjezë dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Bashkimit Evropian.

Delegacioni i talebanëve do të udhëhiqet nga ministri i Jashtëm Amir Khan Mutaki.

Në axhendë do të jetë “formësimi i sistemit politik përfaqësues, reagimi ndaj krizës urgjente humanitare dhe ekonomike, çështjeve të sigurisë dhe kundërterrorizmit dhe të drejtave të njeriut, veçanërisht arsimimi i vajzave dhe grave”, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit të SHBA.

Talebanët u përmbysën në vitin 2001, por shpejt rifituan pushtetin kur forcat ndërkombëtare më në fund filluan të tërhiqen.

Ata shpresojnë se bisedimet do të ndihmojnë “ta kthejnë atmosferën e luftës … në një situatë paqeje,” tha zëdhënësi i qeverisë Zabihula Mujahid për AFP të shtunën.

Qeveria talebane nuk është njohur ende nga asnjë qeveri dhe ministrja e Jashtme norvegjeze Anniken Huitfeldt theksoi se bisedimet nuk do të “përfaqësojnë legjitimimin ose njohjen e talebanëve”.

“Megjithatë, ne duhet të flasim me autoritetet de facto në vend. Ne nuk duhet të lejojmë që situata politike të çojë në një katastrofë humanitare edhe më të keqe,” tha Huitfeld.

Situata humanitare në Afganistan është përkeqësuar në mënyrë dramatike që nga gushti.

Ndihma ndërkombëtare, e cila financon rreth 80 për qind të buxhetit të Afganistanit, u ndërpre papritur kur Shtetet e Bashkuara ngrinë 9.5 miliardë dollarë në asetet e bankës qendrore të Afganistanit.

Papunësia është rritur ndjeshëm dhe pagat e nëpunësve civilë nuk paguhen prej muajsh në një vend tashmë të prekur nga disa thatësira të rënda.

Uria tani kërcënon 23 milionë afganë, ose 55 për qind të popullsisë, sipas Kombeve të Bashkuara, e cila thotë se 4.4 miliardë dollarë nevojiten nga vendet donatore këtë vit për të trajtuar krizën humanitare.

“Do të ishte e gabuar të lihej populli afgan në ndëshkim kolektiv vetëm sepse autoritetet de facto nuk po sillen siç duhet,” përsëriti të premten Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.

Por ish-i dërguari i OKB-së në Afganistan, Kai Eide i tha AFP: “Ne nuk mund të vazhdojmë të shpërndajmë ndihma duke anashkaluar talebanët”.

“Nëse doni të jeni efektiv, duhet të përfshini qeverinë në një mënyrë ose në një tjetër,” tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re