Në këtë situatë të vështirë ekonomike të ndikuar nga përhapja e pandemisë Covid-19 biznesi fason është ndër më të rrezikuarit në Shqipëri. Disa fasonistët kanë kërkuar që të ndihmohen nga shteti me anë të paketave të ndryshme për shkak se iu janë bllokuar prodhimet.

Presidenti Ilir Meta mësohet se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Fasonistëve të Bashkuar,  Gjergji Gjika për të biseduar pikërisht për situatën e krijuar nga kjo industri prodhimi që po rrezikohet nga kriza ekonomike.

“Dëgjova me vëmendje, nga afër, problematikat e bëra publike prej kohësh të këtij sektori të rëndësishëm social dhe ekonomik të vendit. Z. Gjika theksoi urgjencën e mbështetjes së sektorit fason, që është në një situatë mjaft kritike, si nga kufizimet brenda vendit, ashtu edhe nga tronditjet e tregjeve ndërkombëtare. Gjatë bisedës, theksova se i kam kërkuar qeverisë mbështetje për kërkesat e këtij sektori, dhe se do të vazhdoj të insistoj për një vlerësim sa më të shpejtë, realist dhe praktik, për të evituar kolapsin e sektorit fason dhe për të mbështetur punonjësit, gjithashtu”, shprehet Meta në një status në Facebook.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re