Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç tha se Republika Srpska është një krijim ndërkombëtar, një entitet i njohur ndërkombëtarisht “i shpikur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe se përpjekjet për të zvogëluar fuqitë e entiteteve dhe për të forcuar autoritetet qendrore janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit.

Ai akuzoi boshnjakët se duan të bashkojnë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe të fitojnë epërsinë e “faktorit mysliman” ndaj serbëve dhe kroatëve.

“Ne jemi në favor të ruajtjes së integritetit territorial (të Bosnjes) dhe kjo është arsyeja pse unë mendoj se zgjidhja duhet të jetë në dialog,” tha Daçiç në një intervistë me televizionin pro-qeveritar B92.

Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik, i cili është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, tha se pavarësisht kritikave të shumta ndaj tij, ai nuk do të heqë dorë nga miratimi i ligjeve në Republikën Srpska që ai planifikon të ndalojë praktikisht aktivitetet e autoriteteve të shtetin e Bosnjës dhe se nuk do të respektojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të Komunitetit Ndërkombëtar, Christian Schmidt, madje dhe nëse do të shkojë në burg për këtë. Madje ai akuzoi komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, për ndezjen e krizës aktuale në Bosnje.

Të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjen, Christian Schmidt anuloi ligjet e miratuara nga Parlamenti i Republika Srpska për mosnjohjen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes dhe vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, duke vendosur ndryshime në kodin penal të cilat parashikojnë një dënim deri në pesë vjet burg për personat që kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjes.

Schmidt njoftoi vendimin në një javë në të cilën kriza politike në vend u përshkallëzua për shkak të përpjekjeve të autoriteteve të RS, të udhëhequra nga Dodik, për të minuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të vendit duke miratuar një ligj të veçantë që ndalon zbatimin e vendimeve të asaj gjykate.

“Ky është një sulm ndaj Gjykatës Kushtetuese të Bosnjes dhe një përpjekje për të kërcënuar kuadrin ligjor dhe kushtetues vendit, duke përfshirë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë,” tha Schmidt në Sarajevë, duke shtuar se për këtë arsye ai vendosi të anulojë ligjet e kontestuara bazuar në kompetencat që ka.

Ai vuri në dukje se parlamentet e njësive nuk kanë të drejtë të derogojnë nga dispozitat e kushtetutës ose detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Dejtonit dhe një prej tyre është bashkëpunimi me Përfaqësuesin e Lartë.

Menjëherë pas shpalljes së këtyre vendimeve, Schmidt u mbështet nga Ambasada e SHBA-së në Bosnje. Ambasada i përshkroi ligjet e miratuara nga parlamenti i RS si një sulm ndaj Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.

Kjo krizë në Bosnje po zhvillohet paralel me atë në Kosovë. Në këtë të fundit, SHBA dhe BE i kërkojnë Prishtinës të formojë Asocacionin, të cilin Kurti e krahason me Republika Srspka, një lloj Asosacioni që “po i vë minat” shtetit të Bosnjes. Por për rastin e Kosovës, Perëndimi pretendon se nuk do këtë Republika Srpska aty. Ama rasti i Bosnjes tregon se serbëve nuk mund t’u zihet besë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re