Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në pasditen e së enjtes, në Bruksel, me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Pas takimit me Kurtin, zyrtarët e lartë evropianë kanë nisur një takim tjetër, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Për takimin me Kurtin, Borrell është deklaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Twitter.

“Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë shumë e tensionuar. Sot, ne synojmë të gjejmë zgjidhje për deeskalim të menjëhershëm dhe një rrugë përpara”, ka shkruar ai.

Më herët, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Takimet në Bruksel me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp të enjten nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se në takimin e Brukselit do të insistojë për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Tre policë kufitarë të Kosovës janë arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor. Autoritetet serbe thonë se ata janë arrestuar thellë në territorin e Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e Kosovës theksojnë se tre policët kosovarë janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve. SHBA-ja po ashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veritë kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Plani i Kurtit parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor./R.E.L

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re