Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, Eduard Hyseni, kreu i Dhomës së Tregtisë Spanjë-Shqipëri foli për situatën e pandemisë.

Në Spanjë qeveria ka marrë vendimin se në korrik do të hapen rrugët për të pritur vizitorët e huaj në vend.

Ndërkohë, Hyseni rekomandon se edhe në Shqipëri duhet t’i jepet një zgjidhje kësaj situate, pasi duhet ndihmuar sektori i turizmit.

“Nuk mund të hapësh hotelin dhe të mos hapësh plazhin. Spanja deri në fund të qershorit ka vënë një rregull që ka 14 ditë karantinë dhe kjo ka tërhequr shumë turistë që të mos vinë në Spanjë.

Prandaj kryeministri mori këtë vendimin që do heqim 14 ditëshin dhe në korrik hapen rrugët për të huajt. Kam përshtypjen që edhe në Shqipëri duhet të bëhet diçka. Sepse duhet të afrohet turizmi, në fillim ai i brendshëm.

Duhet njëfarë ndihme për sektorin e turizmit. Në të gjithë botën turizmi ndërkombëtar është ai që mban pjesën më të madhe”, u shpreh ai.

Hyseni thekson më tej se qeveria duhet të krijojë për këtë vit një protokoll provizor për sektorin e turizmit në vend, ku fillimisht duhet t’i jepet përparësi atij të brendshmit.

“Në këtë vend nuk ka rrezik, numri është i ulët, të shtyjmë turizmin e brendshëm. Duhet bërë një protokoll provizor për këtë sezon, që ta shpëtojmë këtë sezon. Dhe patjetër që duhet dhënë ndihmë.

Në këtë paketë duhet që edhe qeveria të japë ndihmën e vet dhe jo më kot thashë me parë bashkëpunimi i administratës publike dhe asaj private.

Këto masa do të ndihmonin që mos ta quajmë të humbur sezonin. Kjo është një goditje e madhe për atë sektor të fuqishëm të ekonomisë shqiptare.

Duhet të bëhet një protokoll që të fillojë sa më shpejt turizmi. Ka filluar normaliteti i ri, por duhet ta fitojmë pjesën e plazhit. Duhet të merren masa urgjente. Dhe vitin tjetër të bëhet një politikë më e qartë. Por në këtë moment duhet të mendojmë sa më shpejt për atë industri që duhet të fillojë”, tha Hyseni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re