Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte në periferinë e Tiranës për të parë nga afër sipas tij si ka ndikuar mungesa e mbështetjes së qeverisë, veçanërisht pas pandemisë.

Zyra e shtypit të PD-së, njofton se Basha bisedoi në Farkë me pronarin e një ofiçine makinash, që u ankua se mbështetja ka qenë e ulët. Basha akuzoi se sjellja ndaj biznesit ka qenë harbute.

“Duhet të përsëris edhe një herë thirrjen ndaj çdo punonjësi të administratës, të mos bëhet vegël e një pushteti në ikje. Kam porositur të gjithë sipërmarrësit që kam takuar në Shqipëri të mbajnë shënim emrat e atyre që i terrorizojnë dhe që abuzojnë me ligjin, sepse në nga zotimet e para dhe punët e para që do të bëjmë nesër në qeverisje do të jetë ballafaqimi një për një me abuzimet dhe me ligjin. Nuk kam për të zgjatur asnjë ditë, asnjë javë në detyrë, ata që abuzojnë me ligjin, ata që mbushin xhepat e tyre në këto ditë të fundit të këtij pushteti abuziv, i cili, në vend që të mendojë për shqiptarët, vazhdon edhe këto ditë kritike për shëndetin dhe ekonominë e vendit” tha Basha.

Kreu i opozitës, po sipas zyrës së shtypit të PD-së u fokusua edhe tek mungesa e mbështetjes nga qeveria për bizneset. “Ka mbushur xhepat e 4-5 oligarkëve ndërkohë që nuk jep asnjë lloj mbështetje apo një mbështetje tërësisht të papërfillshme, e cila shuhet nga shpenzimet, si qiraja apo faturat e dritës, të cilat kanë ardhur afrofe, faturat e ujit e kështu me radhë” u shpreh Basha.

“Me të vërtetë nuk janë ditë të lehta për vendin, nuk janë ditë të mira për vendin, janë ditë shumë të vështira për shumicën e shqiptarëve, por ka një lajm të mirë dhe lajmi është që Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme dhe me një qeverisje të përgjegjshme, me një qeverisje që buron nga vota juaj dhe që përgjigjet para jush, është plotësisht e mundur të bëjmë të paktën atë që bëjnë dhe vendet e tjera të rajonit, të bëjmë të paktën atë që bën Kosova, apo vendet e tjera fqinje, të mbështesim sipërmarrjen e vogël, të fuqizojmë konsumin duke rritur fuqinë blerëse, duke çuar paratë e taksapaguesve, paratë tuaja, paratë e shqiptarëve aty ku kanë më shumë nevojë sot njerëzit dhe jo aty ku kanë më shumë nevojë oligarkët dhe ortakët e tyre të babëzitur në qeveri” theksoi Basha.

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Çdo ditë që kalon, kriza ekonomike thellohet, pamundësia për të përballuar jetën shtohet, ndërsa njeriu përgjegjës për këtë situatë harxhon orë të tëra në ekran duke folur për gjithçka përveçse për hallet e qytetarëve.

Sot bisedova me banorë, sipërmarrës të vegjël e fermerë në zonën e Saukut dhe Baldushkut. Papunësia është rritur, fuqia blerëse ka rënë, çmimet janë rritur e për qytetarët po bëhet gjithnjë e më e veshtirë mbijetesa.

Edhe në këto ditë të vështira, paratë që duhet të shkonin për qytetarët, për biznesin e ndershëm, për të mbështetur fermerët prodhimet e të cilëve u prishën, shkojnë për tendera e PPP korruptive. Taksat e rritura si në asnjë vend tjetër në rajon mbushin xhepat e oligarkëve dhe qeveritarëve që i ndajnë bashkë me njëri-tjetrin.

Në këto 7 vjet virusi më shkatërrimtar për qytetarët dhe ekonominë është RAMAVIRUSI.

Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një qeveri të përgjegjshme se ekonomia, nuk ka asgjë më prioritare se t’iu krijojë mundësi qytetarëve të punojnë dhe të jetojnë me dinjitet.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re