Shqipëria ndodhet aktualisht në një krizë të paprecedentë politike, me Parlamentin që ka mbetur për herë të parë pa opozitë, ndërkohë që një parti, ajo Socialiste, ka në dorë e vetme të gjitha pushtetet.

Analisti dhe politologu Afrim Krasniqi thotë se “historia politike e demokracisë na mëson se ka vetëm një zgjidhje: reformim i plotë i sistemit përfaqësues.”

Ai rendit tetë pika në kuadër të këtij  reformimi dhe që i japin zgjidhje krizës:

ndryshim të sistemit zgjedhor,hapësira ligjore stimuluese për kandidatë të pavarura dhe prurje të reja,krijim baze për referendume lokale e kombëtare,zgjedhje të Presidentit nga populli,shkurtim të numrit të deputetëve,heqjen e plotë të koncepteve të imunitetit parlamentar,reformim i plotë i ligjit të partive, detyrim për demokraci të brendshme reale partiake,reformim të financimit elektoral

Krasniqi thekson se këto pika arrihen nëpërmjet jetësimit real të nenit 1 (zgjedhjet), nenit 2 (sovraniteti i popullit) dhe nenit 9 (partitë demokratike e transparente) të Kushtetutës së Shqipërisë.

Sipas analistit, çdo diskutim tjetër për daljen nga kriza është vetëm humbje kohe, ikje nga përgjegjësitë dhe bashkëfajësi.

“Gjithçka tjetër, – fjalë apo fjalime, protesta apo marrëveshje, pakte apo raund tjetër me “lojë shahu” kanë vetëm vlerë simbolike e të përkohshme, por në thelb dhe në sjellje strategjike janë humbje kohe, ikje nga përgjegjësitë, bashkëfajësi dhe deja vu pa zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë”, thotë Krasniqi.

Partitë opozitare dogjën dje mandatet parlamentare dhe kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore që do të bëjë të mundur organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re