Skip to content

Kriza politike/ BE mesazh Kosovës: Partitë të arrijnë marrëveshjen për një president konsensual

bashkimi evropian kosova 600x360 1

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se vonesat në funksionalizimin e institucioneve të Kosovës mund të ndikojnë në përfitimin e vendit nga fondet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për RTV21, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka bërë thirrje për një dialog efikas ndërpartiak dhe për arritjen e një qëllimi të përbashkët, në mënyrë që Kosova të mund të zbatojë reformat e kërkuara dhe të përfitojë nga mbështetja financiare e BE-së.

Paralajmërimi vjen në një kohë kur Kosova po përballet me një bllokadë institucionale, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së presidentit të ri.

“BE-ja u ka bërë vazhdimisht thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional. Është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me kornizën kushtetuese dhe procedurat e përcaktuara”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Sipas tij, zvarritja e formimit të institucioneve mund të pengojë reformat e rëndësishme dhe të ndikojë në aftësinë e Kosovës për të përfituar plotësisht nga mundësitë e ofruara nga BE-ja, përfshirë fondet e Planit të Rritjes.

“Prandaj, arritja e shpejtë e një marrëveshjeje ndërmjet partive politike për një kandidat konsensual për president është veçanërisht e rëndësishme. Vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një qëllim i përbashkët do t’i mundësojnë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

 Kosova rrezikon financimin

Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të financimit nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje, për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave të përcaktuara.

Institucionet e Kosovës kanë bërë kërkesën e parë për disbursimin e fondeve më 15 korrik 2026, ndërsa Komisioni Evropian aktualisht është duke vlerësuar raportimin për hapat e ndërmarrë në kuadër të reformave.

Megjithatë, situata politike dhe vonesat në zbatimin e reformave kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e përfitimit të plotë të këtyre fondeve.

Kërkesa e institucioneve të Kosovës lidhet me një sërë objektivash dhe reformash që fillimisht duhej të përmbusheshin në dhjetor 2024, qershor 2025 dhe qershor 2026.

Në këtë situatë, BE-ja kërkon që institucionet e Kosovës të funksionalizohen sa më shpejt, duke e konsideruar stabilitetin politik dhe zbatimin e reformave si kushte kyçe për përfitimin e mbështetjes financiare evropiane.