Shumë prej shqiptarëve i kanë të freskëta edicionet informative në RTSH ku glorifikohej diktatori Enver Hoxha, realizmi socialist dhe ‘uniteti i çeliktë parti-popull’.

Por askush nuk ka menduar se në vitin 2020, në Shqipërinë demokratike, ose të paktën që pretendohet se është demokratike, kronika të tilla të transmetohen ende në televizionet shqiptare.

Televizioni lokal “Kukës TV”, ka transmetuar një kronike “perlë” që do ta kishte zili edhe media shtetërore e Koresë së Veriut.

Media lokale, për të cilën ka zëra se menaxhohet indirekt nga Safet Gjici, pasi aty pasqyron çdo aktivitet të rëndomtë të bashkisë, ka ngritur në “qiellin e shtatë” kryeministrin Edi Rama për menaxhimin që po i bën pandemisë së COVID-19.

Kritikët dhe opozitën, televizioni i quan “diversantë” që mbledhin gozhdë të ndryshkura rreth Shqipërisë për të mbërthyer Ramën, por që nuk ja dalin dot.

Perla e radhës vazhdon me qytetarët që ankohen për izolimin, të cilët kronika propagandistike i quan ‘pijanecë e frekuentues pub-esh’ që mezi presin të dalin./ Gazeta Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re