Një vajzë 14 vjeçare telefonoi sot gazetarin e “Top Channel”, ku kërkoi ndihmë për shkak të situatës së vështirë që vendi ndodhet.

“Jam Jetmira Murati nga Kruja.. Jam 14 vjeç përbehem  nga 4 pjesëtar të familjes. Të gjithë të pa punë,  tërmeti më ka dëmtuar shtëpinë , tani na doli edhe Covid- 19 dhe jemi izoluar prej një muaji pa asnjë të ardhur vetëm 40 mijë lekë të vjetra në  muaj ….

Gazetari Muhamed Veliu bashkë  me operatorin Andi Kafazi, udhëtuan mesditën e kësaj të diele drejt fshatit Nojë, për të parë nga afër situatën në familjen Murati.

Ky fshat është disa kilometra në të dalë të Krujës, rrugës për në Qafë Shtamë dhe shtëpia e Jetmirës ndodhet në të majtë të kësaj rruge.

E gjejmë Jetmirën afër sobës me dru.

Që në fillim të bisedës më shumë se sa e shqetësuar për thyerjen e këmbës merakun e ka tek pamundësia e ndjekjes së mësimeve.

“Unë të shkruajta për të më ndihmuar sepse këtu nuk kam asnjë të ardhme. Unë para tre muajsh kam thyer këmbën dhe mësimet nuk i kap dot prej këmbës” thotë Jetmira gjatë intervistës me një zë që i dridhet.

E pyesim se për çfarë ajo ka nevojë konkretisht?

“Nevojë kam për mësimet për  një shtëpi në qytet sepse këtu nuk kam asnjë lloj të ardhme. Bashkia na ka ndihmuar ndo pak,  por prapë nuk ia arrij për mësimet”. thotë Jetmira.

Këto ditë si i keni bërë mësimet?

“Unë deri më tani nuk kam marrë asnjë lloj mësimi që prej thyerjes së këmbës tre muaj më parë. Më merr drejtori në telefon më jep ndonjë temë të mësimit se online nuk arrij dot ti kap”.

Lotët e Jetmirës na bëjnë ta ndërpresim intervistën.

Këto lot janë apeli më i  fortë që del nga zemra e kësaj 14 vjeçare në nevojë.

Nëna e saj Vojsava qëndron në anën tjetër të shtëpisë mbi një minder dhe na tregon për mundin e saj në rritjen e fëmijëve jetim pasi bashkëshorti u nda nga jeta 13 vite më parë.

“Vështirësi sa të duash si nënë me jetimë”.

Çfarë të ardhurash vinë në familjen tuaj? Me çfarë i mbani fëmijët jetim?

“47 mijë lekë të vjetra asistencë dhe 40 mijë lekë të vjetra pension që e merr Jetmira. Kur dalin lulet e verës dalim e mbledhim ato. Nuk dalin as për ilaçe” përgjigjet Vojsava.

Largohemi nga kjo shtëpi  me shpresën se ata që munden në emër të Shqipërisë solidare,  do ta hapin zemrën e bujarisë e  zbusin sado pak gjendjen e vështirë të Jetmirës për t’ja shuar lotët dhe kthyer buzëqeshjen e shuar nga varfëria e ulur këmbëkryq në familjen e saj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re