24 mars Bashkia e Beratit vijon të jetë pranë të moshuarve që jetojnë vetëm duke shpërndarë ndihma ushqimore.

Kryetari bashkisë së Beratit, Ervin Demo, tha sot për ATSH-në se “ka përfunduar përgatitja e listave të familjeve që do të përfitojnë ndihmë në paketa ushqimore sipas VKM nr. 236. Janë rreth 2 mijë familje që do të përfitojnë ndihma ushqimore”, – tha Demo.

“Bashkia po vazhdon punën për konsolidimin e grupeve të patronazhimit për pensionistët që jetojnë vetëm. Stafi i dedikuar do të plotësojë kërkesat dhe nevojat e tyre në mënyrë që të ndalojmë daljen e tyre nga shtëpia”, – tha Demo.

Demo tha se “deri tani bashkia ka shpërndarë ndihma në 800 familje dhe pensionistë të vetmuar”.

Sipas tij, strukturat e emergjencave në bashkinë Berat do të vazhdojnë intensivisht procesin e dezinfektimit në të gjithë qytetin.

Kryebashkiaku Demo u bën thirrje qytetarëve beratas se “duke qenë se u konfirmua rasti i parë i COVID-19 në Berat, kërkoj mirëkuptimin tuaj për zbatimin e rregullave”.

Demo falënderoi gjithashtu stafin e bashkisë, që sipas tij, me përgjegjshmëri të lartë vazhdon t’u shërbejnë atyre që kanë më shumë nevojë. /k.s/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re