Bashkia e Korçës është e gatshme të ofrojë transportin e ushqimeve apo të ilaçeve për çdo pensionist të vetmuar, i cili sipas urdhërit të qeverisë shqiptare nuk duhet të dalë nga banesa për të parandaluar marrjen e infeksionit COVID-19. Kjo është bërë e ditur nga kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo në një komunikim me mediat këtë të mërkurë.

 

Ai u ka bërë thirrje të gjithë të afërmve të pensionistëve që tu sigurojnë ushqimin dhe ilaçet, në mënyrë që ata të mos dalin nga shtëpitë. Një thirrje të tillë Filo e ka bërë edhe për qytetarët pranë të cilëve jetojnë pensionistë që tu mundësojnë furnizimin me ushqime e ilaçe. Bashkia e Korçës, tha Filo, do të jetë e gatshme të ndihmojë për transportin e ushqimeve dhe medikamenteve për të gjithë ata të moshuar që nuk mund ta bëjnë vetë një gjë të tillë.

 

Bashkia e Korçës ka vënë në dispozicion numrin pa pagesë 0800 34 34, ku qytetarët mund të telefonojnë nga ora 08.00-16.00 për të kërkuar transport për ushqime e ilaçe të nevojshme për pensionistët e vetmuar. Filo ka përsëritur edhe njëherë si mjaft të rëndësishme respektimin e rregullave të higjienës personale dhe evitimin e daljeve të panevojshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re