Ish- deputeti i PD, Lefter Maliqi, ka publikuar në rrjetin e tij social Facebook dokumentin e SPAK adresuar drejt tij lidhur me hetimet dhe kallëzimet e bëra ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Në dokumentin e SPAK drejtuar Maliqit, thuhet se SPAK ka marrë zyrtarisht nën hetim për 4 kallëzime kryetarin e Bashkisë Kuçovë.
Krahas dokumentit Maliqi shkruan se Kreshnik Hajdari duhet të ishte shkarkuar me kohë nga KQZ dhe Kryeministri, teksa pyet se kush po e mbron ende.

“Gjykata Administrative Tiranë, rrëzoi ankimin e Hajdarit për shkarkimin e tij, i cili ju kthye “KQZ”, ku jemi në pritje.
Gjykata e Posaçme kundër krimit të organizuar e dënoi Hajdarin me 9 muaj burg të konvertuar me 150 orë punë dhe nuk e apeloi.
Hajdari duhet të ishte shkarkuar me kohë nga Kryeministri dhe “KQZ”.
Kush po e mbron ende? Oligark, Ministër??? Dhe pse??? Perse po e keqpërdorin Hajdarin?? Me porosi te kujt po i jep tenderat Hajdari kush po e keqperdor ?Po këta janë pjesë e hetimeve në “SPAK”, do i marr Hajdari me vete??? Pse po e keqpërdorin dhe cilat janë përfitimet e medha të tyre me firmën e të paaftit Hajdari? Cilat janë pazaret e tyre me disa eksponentë të PD kundra meje për dështimin e Opozitës? Pse kanë frikë??
A kanë frikë që emri im tek demokratët, opozitarët e ndershëm që duan ndryshim dhe janë kundra pazareve të pista bashkë me socialistët e ndershëm, ju prish interesat personal se do fitojmë Bashkitë Berat e Kuçovë??
Në njoftim sqarohet se nga hetimet ka rezultuar se Hajdari kur ka kandiduar për kreun e Bashkisë Kuçovë në qershor të vitit 2019, në formularin e vetëdeklarimit ka pohuar se nuk ka qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoritet i huaj, për kryerjen e një vepre penale, si dhe nuk ka qenë ndonjëherë i dënuar me vendim të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj”, shkruan Maliqi.
Sipas SPAK, Kreshnik Hajdari duke qenë kandidat për kryetar i Bashkisë Kuçovë edhe në zgjedhjet vendore me datë 14 maj 2023 kur dhe është rizgjedhur, ka patur detyrimin ligjor për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit.
Por, nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kreshnik Hajdari është i dënuar me vendimin e formës së prerë të vitit 1999 nga Gjykata e Janinës në Greqi, me masën riedukuese të qortimit, për shkeljen: “Hyrja në territorin grek pa ruajtur formalitetet ligjore përkatëse”.
Sipas SPAK, Hajdari, kishte detyrimin ligjor për të deklaruar këtë rrethanë, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike.



