Një vizitë zyrtare e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump në Britani të Madhe nuk do të ishte e mirëseardhur, deklaroi të enjten kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan.
“Presidenti Trump, dje përdori Twitterin për të promovuar një grup ekstremist keqbërës, i cili funksionon vetëm për të mbjellë ndasi dhe urrejtje në shtetin tonë”, tha Khan.
Reagimi i tij u bë në ditën e dytë të zënkës më të fundit në relacion SHBA-Britani, që u inicua nga presidenti amerikan Trump, pasi paraprakisht publikoi në Twitter tre video anti-muslimane, të cilat fillimisht ishin postuar nga zëvendës kryetarja e një grupi të djathtë ekstrem të quajtur “Britania e Para”, (Britain First).
“Shumë britanikë të cilët e duan Amerikën dhe amerikanët, këtë e perceptojnë si tradhti të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, tha Khan.
“Është përtej mendjes të besohet se presidenti i aleatit tonë më të afërt nuk sheh se përkrahja për këtë grup ekstremist, aktivisht minon vlerat e tolerancës dhe diversitetit të cilat e bëjnë Britaninë kaq të mrekullueshme”, tha Khan.
Ai shtoi se në cilësi të kryebashkiakut të një qyteti me diversitete të ndryshme, i ka bërë thirrje kryeministres Theresa May të anulojë ftesën e dërguar në adresë të Trumpit për të vizituar vendin, e cila tashmë është pranuar por pa caktuar një datë.
Presidenti amerikan Donald Trump shpërndau të mërkurën në profilin e tij në Twitter tre video-incizime antimuslimane të cilat më herët i ka publikuar zëvendës-liderja e grupit ekstrem djathtist britanik Jayda Fransen.
Në një video tregohet një burrë i cili sulmon një person me paterica, për të cilin Fransen pohon se është migrant. Dy videot tjera pasohen nga e para, ndërsa ultra-djathtistja britanike pohon se edhe në to janë muslimanë.
Fransen përshëndeti shpërndarjen e videove nga Trump duke shkruar “Zoti të bekoftë Trump! Zoti e begatoftë Amerikën!”./aa/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re