Kryedemokrati Lulzim Basha është i bindur se në 30 qershor nuk ka zgjedhje, pasi zgjedhjet nuk mbahen pa opozitën.

Në këtë drejtim ai tha se ky është një standard ndërkombëtar dhe europian, ku nënvizoi se procesi zgjedhor pa opozitën nuk është proces zgjedhor.

“Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Dekreti i Presidentit është i qartë! Qartësisht ka dekretuar që nuk ka zgjedhje dhe se janë të paligjshme. Nuk mund të bësh aktivitete elektorale pa zgjedhje, këto aktivitete që po mbahen janë të paligjshme”, u shpreh Basha.

Sipas tij, 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh por data kur Kryeministri Edi Rama do mundohet që ti kthejë Shqipërisë zgjedhjet një partiake.

Por kreu i PD tha se shqiptarët janë më të vendosur se kurrë për të mbrojtur demokracinë dhe se 30 qershori e ka një kuptim dhe domethënie dhe se është dita kur nis fundi i regjimit autokratik të Edi Ramës.

Basha tha se Edi Rama do përpiqet që tua shesë shqiptarëve këtë farsë si zgjedhje.

Deklarata e tij u mbajt pas takimit që pati në selinë blu me të ngarkuarën me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-One.

Në këtë drejtim shtoi se as ka komentuar dhe as kam ndërmend të komentoj takimet me përfaqësuesit e huaj. /a.y/noa.al

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re