Ministri i Jashtëm i Pakistanit realizoi një bisedë telefonike sot me homologun e tij turk për të diskutuar çështjet në lidhje me sigurinë rajonale dhe trendin në rritje të islamofobisë.

Shah Mahmood Qureshi dhe Mevlüt Çavuşoğlu, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Pakistanit, diskutuan gjithashtu mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet dypalëshe dhe interesat e mëtejshme të ndërsjella.

Qureshi përshëndeti presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan për qëndrimin e tij “të qëndrueshëm” kundër ngritjes së islamofobisë, thuhet në deklaratë.

Ai gjithashtu falënderoi Ankaranë për mbështetjen e saj të vazhdueshme për Islamabadin në përpjekjet e saj për të dalë nga lista gri e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), trupi vëzhgues global i financimit të terrorizmit.

Përveç takimit vendimtar të FATF javën e kaluar, Turqia herë pas here ka mbështetur Pakistanin, i cili ka qenë nën vëzhgimin global të pastrimit të parave që nga qershori i vitit 2018 kur u vendos në listën e saj gri lidhur me pretendimet e financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.

Shteti me fuqi bërthamore i Azisë Jugore ka shpëtuar dy herë në tentimin për t’u vendosur në listën e zezë të krimit financiar me mbështetjen e Turqisë, Kinës dhe Malajzisë.

Çavuşoğlu, sipas deklaratës, vlerësoi përpjekjet “e suksesshme” të Islamabadit për të përmbushur Planin e Veprimit të FATF në muajt e fundit.

Diplomati i lartë turk shprehu ngushëllimet e tij lidhur me shpërthimin e bombës të martën në një seminar fetar ngjitur me një xhami në qytetin jugperëndimor Peshawar, në të cilin humbën jetën 8 studentë dhe u plagosën mbi 100 të tjerë.

Ai gjithashtu përshëndeti kryeministrin pakistanez Imran Khan për qëndrimin e tij kundër islamofobisë.

Të dy ministrat e Jashtëm ranë dakord të vazhdojnë konsultimet dhe bashkëpunimin mbi çështjet që lidhen me paqen dhe sigurinë rajonale në të ardhmen.

Qureshi uroi qeverinë dhe popullin e Turqisë për 97-vjetorin e Ditës së Republikës, e cila do të festohet më 29 tetor.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re