Kryediplomati kinez përdori sot retorikë të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe foli mbi lidhjet e ngushta të vendit të tij me Rusinë, gjatë një konference shtypi në Pekin.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo nga Pekini, gjuha e ashpërsuar e Kinës kundër Shteteve të Bashkuara vjen në vazhdën e një takimi të rëndësishëm të parlamentit kinez që u zhvillua të hënën.
Ministri i Jashtëm kinez ashpërsoi sulmet verbale të vendit të tij ndaj Shteteve të Bashkuar, gjatë një konferece shtypi në Pekin të enjten.

“Ku është besueshmëria tek një fuqi e madhe nëse Shtetet e Bashkuara gjithmonë thonë diçka tjetër dhe veprojnë ndryshe? Ku është besimi tek një fuqi e madhe që shqetësohet dhe tensionohet thjesht kur përmendet Kina?”, tha zoti Wang Yi.
Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimet e Kinës në shtator, kur Presidenti amerikan Joe Biden u takua me Presidentin kinez Xi Jinping në Kaliforni. Ky takim ndihmoi në stabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Të enjten, minsitri Wang Yi akuzoi Uashingtonin për mosrespektim të premtimeve dhe tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta frenojnë Kinën përmes sanksioneve.
“Dëshira për ta fajësuar Kinën për çdo gjë ka arritur një nivel të pabesueshëm”, tha ai.
Megjithë rifillimin e bisedimeve të nivelit të lartë, Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar sanksionet kundër Kinës për një sërë çështjesh, nga shkeljet e të drejtave të njeriut e deri tek marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Gjatë konferencës, ministri Wang mbrojti mbështetjen e Pekinit për Moskën, megjithë agresionin rus kundër Ukrainës.
Ai vazhdoi gjithashtu trysninë ndaj Tajvanit, përpara inaugurimit të një presidenti që Pekini e sheh si separatist.
Mes mospajtimesh gjithnjë e më të tensinuara territoriale me Filipinet në Detin e Kinës Jugore, zoti Wang u zotua se Pekini do t’u përgjigjet atyre që i quajti provokime dhe ndërhyrje nga forcat e jashtme.
Komentet vijnë pak ditë pas një takimi vjetor të parlamentit kinez, që u zhvillua nën masa të rrepta në Pekin.
Takimi synonte shfaqjen e një kthese positive përsa u përket problemeve të shumta me të cilat po përballet ekonomia kineze.
Shumë ekspertë i shohin komentet e zotit Wang si një mënyrë për ta vënë theksin e politikes së jashtme kineze për këtë vit. Nëse po, Kina duket se do të ketë mjaftueshëm probleme të cilat mund t’i shfrytëzojë për të manovruar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re