Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliç Radman e shpjegoi ndalimin e mbërritjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në ish-kampin e Jasenovacit me mungesën e një njoftimi zyrtar nga pala serbe se kreu i një shteti do të vinte në territorin e një shteti tjetër, gjë që kërkonte një protokoll që duhej të ishte bërë.

“Nuk po shkon në det. Presidenti i vendit është një person i mbrojtur, një vizitë e tillë kërkon përfshirjen e autoriteteve kroate. Ne gjithmonë lajmërojmë ardhjen tonë, kjo mungonte këtu. Nuk mund ta kalosh kufirin ashtu”, u tha Grliç Radman gazetarëve.

“Përmes kanaleve jozyrtare morëm vesh se presidenti Vuçiç ka ndërmend të vizitojë Jasenovacin, Pakracin… Është e pazakontë që ne ta marrim vesh jozyrtarisht. Ne e dorëzuam notën”, tha Radman.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç planifikoi të vizitojë privatisht kampin e Jasenovacit nga Lufta e Dytë Botërore, ku pretendohet se u burgosën dhe u vranë një numër i madh serbësh, por autoritetet kroate nuk do ta lejojnë të hyjë në vend, gjë që shkaktoi reagime të ashpra nga Beogradi.

Grliç Radman tha se pala kroate është e gatshme për dialog, por të njëjtën gjë e pret edhe nga Serbia, për të cilën tha se nuk ishte e sinqertë, ndërsa lëvizjen e fundit të presidentit serb e vlerësoi si provokim.

“Këtu viktimat janë mjet, jo qëllim. Qëllimi është që Vuçiç të marrë pikë shtesë politike në Serbi”, tha Radman.

“Ne dënojmë çdo krim, i bëjmë nderim çdo viktime, por të njëjtën gjë presim nga pala serbe”, tha shefi i diplomacisë kroate, duke akuzuar Serbinë se nuk përballet me të kaluarën, përfshirë edhe problemin e personave të pagjetur nga lufta në Kroaci në vitet 1990.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re