Ministri i Jashtëm i Palestinës, Riyad al-Maliki informoi të mërkurën krerët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) në Hagë për “krimet dhe shkatërrimet” izraelite në Gaza.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve “Wafa”, Al-Maliki u takua me presidentin e GJNP-së, gjyqtarin Piotr Hofmanski dhe sekretarin e GJNP-së, Osvaldo Zavala, gjatë të cilit i informoi mbi “shkallën e krimit dhe shkatërrimit të shkaktuar nga Izraeli dhe forcat pushtuese, pa asnjë përgjegjësi”.

Kryediplomati palestinez “theksoi nevojën që GJNP të përfundojë hetimet e saj penale dhe të sjellë para drejtësisë autorët izraelitë të krimeve të luftës”.

Të mërkurën, Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk arriti të hartonte një rezolutë për konfliktin e vazhdueshëm Izrael-Palestinë, pasi dy projekt-rezolutat e propozuara nga SHBA-ja dhe Rusia nuk u miratuan.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas nisi operacionin “Tufani i Al-Aksa-së”, një sulm i papritur shumëdimensional që përfshinte lëshimin e një breshërie raketash dhe depërtimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Grupi tha se inkursioni ishte në shenjë hakmarrjeje për sulmet në xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve. Ushtria izraelite më pas nisi fushatë të pamëshirshme ajrore kundër Rripit të Gazës.

Më shumë se 7.900 njerëz janë vrarë në konflikt, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe mbi 1.400 izraelitë.

Gjithashtu, 2.3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e fundit e ndihmave të lejuara në Gaza kanë bartur vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re