Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billström, tha se është një lajm shumë i mirë që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pranuar kërkesën për t’u takuar me Ulf Kristersson, kryeministrin e ri të Suedisë.

Billström zhvilloi një takim me kryediplomatin finlandez, Pekka Haavisto, në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, dhe pas takimit dy ministrat mbajtën një konferencë për media.

“Është një lajm shumë i mirë që presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka pranuar kërkesën për t’u takuar me kryeministrin e ri të Suedisë, Ulf Kristersson”, deklaroi Billström.

Ai tha se kanë punuar shumë për të përmbushur kërkesat e Türkiye-s lidhur me çështjen e NATO-s.

Edhe ministri i Jashtëm finlandez, Haavisto, ka bërë të ditur se në procesin e anëtarësimit në NATO kanë krijuar dialog në mënyrë të rregullt me Türkiye-n dhe se javën e kaluar ka zhvilluar një bisedë me homologun turk, Mevlüt Çavuşoğlu.

Presidenti Erdoğan në një deklaratë të bërë sot, njoftoi se kryeministri i Suedisë ka bërë kërkesë për takim.

“Kolegëve u kam thënë ‘caktoni një takim, le të vijë‘. Edhe këto çështje t‘i diskutojmë me të në vendin tonë. Mendimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë pikë. Terroristët që kanë marrë dënime të tilla kriminale duhet të kapen dhe të na i dorëzojnë neve. Nuk do të funksionojë në fazën parlamentare për sa kohë që këto nuk na dorëzohen. Qasja e kryeministrit të ri aktual, është pro luftës kundër terrorizmit dhe terroristëve”, u shpreh Erdoğan.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re