Një familje në Mamurras me gjashtë anëtarë, qëndron jashtë banesës, që prej tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar. Banorët e kësaj familje, kanë kaluar ditë të vështira, si në Dimër për shkak të ftohtit, por edhe në verë për shkak të vapës.

Kryefamiljari Zef Boçi , i cili është edhe invalid shprehet se inxhinierët i kanë thënë gojarisht se shtëpia është e pabanueshme, por nuk firmosin dot pa urdhërin e kryetarit.

Në një rrëfim për “Fax News”, ai shprehet, se ka kërkuar ndihma nga autoritetet, por nuk ka marrë asgjë mbrapsht.

Më tej ai shton, se institucionet kanë anashkaluar problemin e dëmtimit të banesës së tij.

“Bëra plot një vit që jam këtu, invalid, pa pikë turpi prefekti më merr nuk e mbaj mend orën, nga mesnata, më thotë më vjen keq se po fle brenda. Kjo nuk bën më, është themeli me bodrum. Komisioni e ka nxjerrë të banueshme banesën.

Vetëm dyer e dritare kam hequr. Kam kërkuar çadër, kam kërkuar ndihma.

Asnjë ndihmë nuk më është dhënë. Inxhinierët gojarisht dhe jo me shkrim më kanë thënë që është e pabanueshme, por nuk e firmosim dot pa urdhër të kryetarit.

Kryetari nuk ka ardhur dhe kështu ka ngelur. I bëj apel shtetit që së pari të vijë të shikojë se ku jetoj, me gjithë këtë kohë, virus e dreq që na gjeti ne”, tha Zef Boçi.

Kurbini ishte një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Si pasojë e lëkundjeve të forta, qindra banesa u dëmtuan, duke lënë në qiell të hapur banorët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re