Që nga 12 dhjetori i vitit 2019, Viktor Gjoni, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën jetojnë në çadër, pasi tërmeti e dëmtoji rëndë banesën e tyre në Fushë Milot të Kurbinit.

Sipas kryefamiljarit, komisionet e vlerësimit e kanë nxjerrë këtë banesë DS3, çka do të thotë që do dëmshpërblehet me 500 mijë lekë të reja, por Gjoni kërkon ndërtimin e shtëpisë pasi me aq para, nuk riparohet as çatia.

Kisha kohë më parë i ofroi kësaj familje një kontenier ku të qendronin deri në rindërtimin e shtëpisë, por rruga e ngushtuar nga avllitë e komshinjve, e bëri të pamundur hyrjen e kamionit.

“Shtëpia ime është me letra, e ndërtuar që në 76-ën. Ma vlerësuan ekspertët DS3 shkallën e dëmtimit, pra e pabanueshme. Më thotë shteti do të japim 500 mijë lekë, unë me aq nuk ndërtoj dot as çatinë. Për mua deri tani nuk ka pyetur kush, asnjë fjalë. Kam shkuar edhe tek bashkia e Kurbinit por asnjë përgjigje. Jam në mëshirë të fatit, të Zotit. Se në ditët e nxehta hy dhe rri tek banesa se është pak më freskët. Nuk pyes për vete e për gruan, por kam vajzën 15 vjece e kam të sëmurë me ilaçe”,- thotë ai ndërsa përlotet.

Për këtë problem Gjoni ka kontaktuar me kryetaren e Bashkisë, Kurbin Majlinda Cara, por edhe kjo e fundit nuk i ka dhënë një zgjidhje. Mes lotësh i zoti i shtëpisë tregon që edhe vajza 15 vjeçe, nga lagështira në çadër dhe në banesë ka pësuar probleme shëndetësore ku edhe mjekohet me ilace.

Kjo familje ka një apel për qeverinë qe t’i rindërtohet shtëpia, pasi janë të detyruar që të rikthehen në banesën e dëmtuar edhe pse rreziku për jetën është prezent.

Kryefamiljari thotë ndër të tjera: “Nuk kam ku të mbytem, në këto kushte që jam e kam menduar edhe vetëvrasjen ndonjëherë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re