Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, ka shprehur zhgënjimin e tij në institucionet se si edhe gati dy dekadash nga përfundimi i luftës kanë lënë pa ligj bashkësitë fetare, për çka shprehet se mungesa e tij mund të sjell probleme të ndryshme.

“Fatkeqësisht edhe pas 19 vjet prej që ka përfunduar lufta, bashkësitë fetare në Kosovës veprojnë pa kurrfarë ligji që përcakton statusin e tyre juridik. Andaj, në këtë mes edhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka ndonjë status ligjor dhe është për t’u çuditur neglizhenca e organeve tona, e Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë së Kosovës, që nuk po bëjnë më tepër, kur edhe nga faktori ndërkombëtar dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë janë nxitur shpeshherë që ta përshpejtojnë aprovimin e këtij ligji, me të cilin bashkësitë fetare do ta organizonin lirshëm jetën e tyre fetare, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha rregulloret dhe aktet ndërkombëtare që përcaktojnë të drejtat dhe liritë fetare nëpër botë”, ka deklaruar Bajgora për Radio “Evropa e Lirë”.

Mungesa e këtij ligji, shton ai i vë bashkësitë fetare, këtë rast Bashkësinë Islame para sfidave të shumta dhe të ndryshme, me të cilat ballafaqohet gjatë përditshmërisë, qoftë në aspektin administrative apo organizativ.

“Pa këtë ligj, i ofrohet mundësia shumëkujt që të propagandojë në emër të fesë, pa qenë i varur nga bashkësitë fetare, qoftë islame, krishtere (katolike) apo ortodokse. Prandaj, unë mendoj se miratimi i një ligji duhet sa më shpejtë, ndonëse nuk jemi të kënaqur me këtë ligj, ne si Bashkësi Islame, sepse nuk është një ligj që plotëson nevojat apo kërkesat tona. Është më tepër një ligj ‘ad hock’, është një kopjim nga disa shtete evropiane dhe në forma të ndryshme nuk e koncepton mentalitetin e kësaj popullate që është në Kosovë. Por, megjithatë, më mirë do të ishte një ligj i dobët se sa pa ligj fare. Andaj, unë mendoj që me këtë ligj duhet të kemi jashtëzakonisht kujdes, që të mos u japim hapësirë grupeve të ndryshme fetare që të financohen apo të krijojnë paralelizma ndaj bashkësive aktuale fetare. Kjo, sepse, shumë thjeshtë, ne me këtë ligj që do të aprovohet dhe me të cilin tashmë thash se nuk jemi të kënaqur, jepet hapësirë që me 50 nënshkrime çdo komunitet të formojë bashkësi fetare krye në vete. Kushti i vetëm është që ta ketë një seli, ta ketë një trupë konstituive prej 50 vetash dhe mjaftohet me kaq”, shprehet Bajgora.

Ai më tej thotë qeveria dhe parlamentarët, në mënyrë shumë të detajuar duhet ta analizojnë ligjin që mund të aprovohet në një të ardhme të afërt, në mënyrë që të mos i lejohet grupeve të ndryshme, të piketuar në Kosovë që të dalin në sipërfaqe dhe të e rrezikojnë mirëqenie apo tolerancën që është kultivuar me shekuj nëpërmjet bashkësive fetare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re