Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë sot para mediave, një ditë pas konferencës së donatorëve për të ndihmuar Shqipërinë në rindërtim pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në emër të LSI-së Kryemadhi ka falënderuar të gjithë donatorët dhe vendet mike për solidaritetin dhe kontributin e tyre, ndërsa theksoi se kjo konferencë tregoi se nuk ka asnjë paragjykim për shqiptarët.

“Ky falënderim është më shumë se falënderim por shpresë për shqiptarët për t’iu dhënë forcë e kurajë e për t’iu treguar se nuk janë vetëm. Takimi i djeshëm tregoi qartë që nuk ka asnjë lloj paragjykimi ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve por përkundrazi ata i duan dhe ndiejnë detyrim për t’i ndihmuar.

Notat e entuziazmit tashmë mbaruan dhe duhet të fillojë përgjegjshmëria e qeverisë shqiptare”, deklaroi Kryemadhi.

Ajo tha më tej se për shqiptarët dhe shtëpitë në rindërtim do të shkojnë 265 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër janë hua që do paguhen vitet e ardhshme nga shqiptarët.

Kryemadhi kërkoi një institucion monitorimi të pavarur për projektin e rindërtimit.

“Do të thotë që të ndërtohen sa më shpejtë shtëpitë e tyre që jo t’i kapë dimri i vitit tjetër, takimi i djeshëm ua dha këtë shans dhe mundësi shqiptarëve që ata të jenë të qetë.

Buzëqeshja e kryeministrit tonë ishte shumë e madhe sepse prej vitesh po kërkon të marrë kredi nëpër institucionet ndërkombëtare, kishim një shumë prej 885 milion euro që janë në formë borxhi e huaje që janë para që do t’i paguajnë shqiptarët vitet e ardhshme.

Është shumë e rëndësishme për të pasur një institucion monitorimi të pavarur me ekspertë të cilët do të bëjnë monitorimin e këtij projekti sepse besimi i shqiptarëve tek kjo qeveri ka humbur. SHBA do të themelojnë Akademinë e transparencës”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

Kryemadhi e cilësoi të paaftë qeverinë për të qeverisur buxhetin e shtetit.

“Prej shumë kohësh kjo qeveri ka treguar që është e paaftë për të qeverisur buxhetin e shqiptarëve, e paaftë për krijuar vende pune dhe përkundrazi ka mbyllur vende pune e biznese, e paaftë për t’iu siguruar shërbime shqiptarëve”, tha ajo.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re