Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi tha një ditë më parë se nuk do ta zbatojë vendimin e qeverisë për të vendosur maskën  dhe i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos e zbatojnë dhe t’i përgjigjen policëve.

Ministrja e Shëndetësisë është përgjigjur ndaj këtij reagimi duke ngritur zërin dhe duke theksuar se një njeri që bën këtë thirrje do të thotë që nuk dëshiron shëndetin e qytetarëve.

“Është një çështje shumë serioze kjo e pandemisë. Të përballesh me epideminë që ndodh një herë në 100 vite nuk është e lehtë në një vend si i joni. Ky sistem shëndetësor ka vuajtur shumë më herët, që kur zotërinjtë dhe zonjat më parë kanë qeverisur. Sot jemi duke diskutuar nëse ne duhet të vendosim maskën e cila është barrierë mbrojtëse nga virusi. Si ka mundësi të bësh thirrje mos të mbash maskë! Si ka mundësi mjeti më efektiv i pranuar kudo në botë për tu mbrojtur nga virusi, tu bësh thirrje mos ta vësh, do të thotë të mos duash shëndetin e njerëzve të vendit tënd. Këtu flasim për shëndetin e njerëzve. Po vuajnë me maskë oksigjeni në spital! Nëse kushdo nga politikanët nuk e kupton, të arrish të thuash mos zbato rregullat! Me kë jemi në luftë ne se nuk po e kuptoj. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë.“- tha Manastirliu.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re