“Ndaj nuk gjej fjalë të shpreh dhimbjen e madhe që ndjej”. Kështu shprehet, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në mesazhin e saj të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të artistit Besim Zekthi.

Ajo thotë ndër të tjera se Zekthi ishte emblema dhe simboli i valles shqiptare.

STATUSI I PLOTE

I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se është ndarë nga jeta Besim Zekthi, emblema dhe simboli i valles shqiptare!

I trishtë dhe gjithë pikëllimë lajmi se pushoi së rrahuri zemra e Besim Zekthit, njërit prej artistëve më të dashur të shqiptarëve!

Ndaj nuk gjej fjalë të shpreh dhimbjen e madhe që ndjej.

Por, ndërsa përpiqem të shkruaj këto rradhë ngushëllimi për familjen e tij, për Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, shqipe e të cilit ai qe dhe do të mbetet gjithmonë, si dhe për të gjithë botën shqiptare të artistëve, për humbjen e madhe dhe të pazëvendësueshme, kam në sy imazhin e tij aq krenar e stoik si kreshnikët, me kërcimin magjepsës; sa burrëror dhe elegant njëherësh, gjithë temperament dhe ndjeshmëri, të cilat vetëm Besim Zekthi mund t’i zotëronte dhe të na i dhuronte me perfeksionin e një mjeshtri që meritoi dhe meriton gjithë nderimin dhe mirënjohjen e një kombi të tërë!

Ashtu, me atë imazh do të jetë Besim Zekthi përjetë në kujtesën e shqiptarëve, të cilëve ai iu fali dashurinë e shpirtit të tij.

Lamtumirë Besimi ynë i dashur!

Të ndrittë shpirti dhe u prehsh në paqe, Besimi ynë i pazëvendësueshëm dhe i paharrueshëm!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re