Në seancën vendimtare për kalimin apo jo për gjyq të dosjes së inceneratorit të Fierit, ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, shpërtheu në akuza ndaj Monika Kryemadhit, e cila ka kryer kallëzimet në SPAK.

 

Ai e konsideroi arrestimin e tij absurd, duke thënë se i ka shërbyer shtetit me përkushtim.

 

LEFTER KOKAISH- MINISTËR I MJEDISIT

“Si mundet një prokurori të marrë për bazë kallëzimin e një të çmendure, si Monika Kryemadhi dhe t’i mjaftojë për të arrestuar qytetarë të pafajshëm? Unë i kam shërbyer këtij vendi me besnikëri dhe në përputhje me ligjin. Mirë unë që u dogja dhe do dënohem, po gjykata duhet të qëndrojë me dinjitet dhe të mos dënojë njerëz të tjerë të pafajshëm.”

 

Pas deklaratës, ish-ministri mësohet se ka shfaqur probleme shëndetësore dhe është larguar nga salla e gjyqit.

 

Ndërkohë, gjyqtarja e posaçme, Flojera Davidhi rrëzoi kërkesën për bashkimin e dy procedimeve penale në një të vetëm, sikundër më herët edhe gjyqtarja e djegësit të Elbasanit vendosi që çështjet të gjykohen të ndara.

 

Seanca maratonë ka nisur në orën 9 të mëngjesit dhe po vijon ende.

 

Po ashtu brenda dyerve të gjykatës, po japin pretendimet e tyre edhe avokatët e 19 të pandehurve të tjerë, përfshirë këtu edhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako. Për inceneratorin e Fierit, gjykata ka marrë 20 të pandehur dhe 14 kompani.

 

Ndërsa, ditën e djeshme seanca për kalimin apo jo për gjyq të inceneratorit të Elbasanit u shty për në datën 21 shkurt. Për këtë djegës, gjykata ka marrë 10 të pandehur dhe ka sekuestruar dy shoqëri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re