Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka prezantuar kandidatët për deputetë në Gramsh. Ajo ka vlerësuar qytetin e vogël dhe zonën përreth për bukurinë natyrore dhe resurset që ka.

Sipas saj, Gramshi ka shumë gjëra të përbashkëta me Skraparin, sa i përket traditës, mikpritjes dhe punës.

Kryemadhi thotë se shumë të rinj sot që jetojnë në Gramsh e konsiderojnë qytetin një xhep që nuk i ofron asgjë, ndërkohë që LSI një nga sfidat kryesore ka rikthimin të rinjve dhe të rejave që janë larguar nga atdheu.

FJALA NGA MONIKA KRYEMADHI

Gramshi ka disa gjëra shumë të përbashkëta me Skraparin, të mos them që janë pothuajse njësoj, qoftë në traditë, qoftë në mikpritje, edhe në aspektin e fuqisë punëtore, që janë njerëz punëtorë. E ndjej në çdo moment të jetës sime në shtëpi. Dhe sa herë që takohemi me Adin apo edhe shumë djem e vajza që janë nga Gramshi që jetojnë e punojnë në Tiranë, për hir të së vërtetës ndjejmë shumë gjëra të përbashkëta. Do thoni ju po çfarë ndjen? Unë më shumë kam ndenjur më shumë me skraparllinjtë, prandaj kjo është edhe një nga arsyet.

Kur diskutuam me profesorin për të pranuar që të kandidonte për LSI-në, për hir të së vërtetës ishte një vlerësim që profesori na dha ne. Profesori ishte një element për të cilin kishim nevojë jo vetëm ne si LSI, por edhe për t’i dhënë qytetit të Gramshit disa elementë të tjerë që ka nevojë për t’i njohur jo vetë jeta politike, por edhe shoqëria, edhe mediat e shumë të tjerë. Kur diskutuam edhe me Adin për profesorin ishte ideja se kush është Ladi, sepse në shumicën e rasteve ne, sidomos unë, fokusohemi tek të rinjtë. Por gjithë ky brez të rinj dhe të rejash, djemsh dhe vajzash, kanë kaluar në duart e profesorit si mësues i matematikës dhe të paktën unë për veten time mësuesin e matematikës e kam pasur njeriun më të dashur timin, për shkak se ka qenë një moment emocioni që krijon nxënësi me mësuesin, është ajo lidhja. Unë besoj shumë tek matematika për hir të së vërtetës, nuk jam shumë e shkencave shoqërore edhe pse merrem me shkenca politike. Saktësia e matematikës, ashtu siç gjen mënyra dhe rrugë të ndryshme për të zgjidhur problemet e matematikës, ashtu  zgjidhen dhe problemet e jetës, në mënyra dhe metodologji të ndryshme. Pra një njeri që merret me matematikë, saç është racional në zgjidhjen e problemeve, ashtu është edhe racional në zgjidhjen e problematikave të shoqërisë sonë. I jam shumë mirënjohëse profesorit që pranoi të kandidojë në listë e LSI-së, sepse në fund të fundit ai ka një karrierë të ndërtuar profesionale, nuk po them politike, sepse atë politike ne e ndërtojmë në bazë të të gjithë angazhimeve tona shoqërore. Ka një karrierë profesionale, akademike, që për hir të së vërtetës sot çdo ditë e më shumë po rrallohen këto struktura dhe këta profesionistë cilësorë sidomos në sistemin arsimor dhe në atë universitar. Unë të jam mirënjohëse profesor në emër të gjithë LSI-së, që pranuat të kandidoni me listën tonë.

Për të vazhduar pastaj tek Saimiri, pra dy breza të ndryshëm, qoftë një brez i cili ka qëndruar, shërbyer dhe edukuar me breza të tërë, ashtu tek Saimiri i cili do kishte qenë nxënës i profesorit, por ka ikur dhe ka studiuar jashtë shtetit dhe është kthyer në Shqipëri. Jo vetëm është kthyer në Shqipëri, por vazhdon të japi investimin e tij për të ndihmuar biznese të ndryshme, për të ndihmuar me konsulenca e projekte të ndryshme, gjë që sot në Shqipëri janë shumë të domosdoshme.

Tek vija nga Belshi tani për në Gramsh, shikoja një bukuri natyrore shumë të mirë, ashtu sikurse nganjëherë edhe kthehen në momente emocionale, por shikon pastaj që bashkërisht me to në atë natyrën e bukur të pranverës, bashkëngjiten çati shtëpish të rrënuara, shtëpi të braktisura, rrugë e fshatra të braktisur, për shkak të shpopullimit. Dhe një nga sfidat tona kryesore është rikthimi i të rinjve dhe të rejave. Shumë veta do thonë po çfarë do bëjmë ne në Gramsh se Gramshi është një xhep, Gramshi nuk ofron asgjë. Unë njoh shumë të rinj dhe të reja nga Gramshi që punojnë në call center apo në biznese në Tiranë dhe pjesën më të madhe të pagës së tyre e paguajnë qira, drita, ujë, taksa dhe e kanë të pamundur më pas qoftë të krijojnë edhe një jetë ekonomike të stabilizuar në Tiranë. Sepse jeta në Tiranë është shumë e shtrenjtë për shkak të taksave, për shkak të standardit të lartë të jetesës, i cili është i ulët, por shumë i shtrenjtë në çmime.