Në një kohë kur vendi ynë po kalon momente të vështira për shkak të koronavirusit, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka ndarë me publikun historinë e doktoreshë Silva Ruli Shametit. Kjo e fundit prej 3 javësh po shërben pa pushim në repartin e karantinës të spitalit të San Marino-s.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Kryemadhi thekson se “mendimet tona shkojnë jo vetëm për të, por për të gjithë mjekët shqiptarë që punojnë jashtë.”. Ajo shprehu falenderime dhe lutje edhe për të gjithë mjekët tanë që punojnë në vendin tonë, që sipas saj ushtrojnë profesionin në kushte shumë më të pafavorshme se kolegët e tyre në Evropë.

MESAZHI I KRYEMADHIT

Kjo është doktoresha Silva Ruli Shameti, mjeke dhe mike e mirë që unë e dua shumë, e cila prej 3 javësh po shërben pa pushim në repartin e karantinës të spitalit të San Marino-s.
Mendimet tona shkojnë jo vetëm për të, por për të gjithë mjekët shqiptarë që punojnë jashtë. Ata sot i ofrojnë siguri qytetarëve evropianë, por edhe pse në karantinë duke luftuar vetë me virusin, mendjen dhe shpirtin e kanë të lidhur me situatën në Shqipëri, për familjarët, miqtë e kolegët e tyre këtu.
Falenderimet dhe lutjet tona shkojnë edhe për të gjithë mjekët tanë që punojnë këtu në kushte shumë më të pafavorshme se kolegët e tyre në Evropë. Për mjekët e Shqipërisë nuk mjaftojnë vetëm duartroktijet e orës 17:30, por të lutemi për shëndetin e tyre mëngjes, drekë, darkë, e në çdo kohë të shpresojmë që ata e familjarët e tyre të gjejnë forcën, për të përballuar ditët e vështira që kemi përpara.
Zoti i bekoftë sakrificat tuaja!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re