Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, mbërritën këtë të martë në Kosovë ku u takuan me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

 

Në fokus të diskutimeve të krerëve të Kosovës dhe kryeministrave të Beneluksit ishte shtensionimi i situatës në komunat me shumicë serbe dhe rikthimi në dialog i Prishtinës dhe Beogradit.

 

Pas takimeve, kryeminstrat mbajtën një konferencë për mediat ku kryeministri Kurti theksoi se vështirësia qëndron në mungesën e implementimit të marrëveshjes bazë për të cilën palët ranë dakord, por Vucic nuk pranoi ta firmosë.

 

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTER I KOSOVES

 “Vështirësitë që kemi është mungesa e implemetimit të marrëveshjes dhe besoj se fillon duke lënë këtë proces të kalojë pa nënshkrim nga të dyja palët. Ky ishte një gabim i madh sepse mosnënshkrimi i marrëveshjes ka hapur derën për shkelje. Ajo që duhet është implementim i shpejtë i të gjitha pikave pa parakushte ose vonesat. Kjo besoj se është zgjidhja dhe duhet të intensifikojmë dialogun për implementim. Nuk duhet të heqim dorë nga marrëveshja. Kryeministri Rutte dhe Bettel, të gjithë udhëheqësit evropianë, Brukseli si kryeqyteti i dyfishtë i NATO-s dhe BE-së s’duhet të heqin dorë nga marrëveshja bazë.

 

Në Konferencën e përbashkët  kryeministri i Holandës, Rutte shprehu gatshmërinë e vendit të tij për të ndihmuar në shtensionimin e situatës.

 

 

MARK RUTTE

KRYEMINISTER I HOLANDES

“Holanda dhe Luksemburgu deshirojnë të normalizojnë marrëdhëniet drejt dialogut dhe deeskalojnë situatën  mes dy shteteve. Shpresoj se kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për prosperitetin drejt integrimit në BE. Jam optimist që mendjet e ftohta të mbizotërojnë, të gjithë dëshirojnë shtensionim, është interes i të gjithëve për të bërë këtë. Nëse mund të ndihmojmë ne jemi këtu.”

 

 

Ndërsa foli për situatën, kryeministri i Luksemburgut tha se nëse do të ketë konflikt mes dy vendeve nuk do të ketë asnjë të fitues.

 

 

XAVIER BETTEL

KRYEMINISTER I LUKSEMBURGUT

“Kur është planifikuar ky udhëtim nuk e kemi ditur që do të ketë tensione. Ne tentojmë të ndërtojmë ura. Dje ishim në Beograd dhe sot jemi në Prishtinë. Është e rëndësishme për ne që e dimë që ka udhërrëfyes për dialog e ai është Lajçak. Ne duhet të largojmë çdo mundësi për kriza të mundshme të cilat më së shumti i vuan populli. Për ne është e rëndësishme të besojmë në punën e lehtësuesve të BE-së. Është mirë të ketë dialog të hapur. Ne si politikanë marrim vendime, por populli i vuan pasojat.”

 

Ai tha gjithashtu se Kosova është pjesë e familjes evropiane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re