Kryeministri i Armenisë tha se politika e vendit të tij për t’u mbështetur vetëm tek Rusia për të garantuar sigurinë e tij, ishte një gabim strategjik, pasi Moska nuk e ka përmbushur këtë rol dhe është në proces të zvogëlimit të rolit të saj në rajonin më të gjerë.

 

Në një intervistë me gazetën italiane La Repubblica të botuar të dielën, Nikol Pashinyan akuzoi Rusinë se nuk arriti të garantojë sigurinë e Armenisë, përkundër asaj që e quajti agresion nga vendi fqinj Azerbajxhani, në lidhje me rajonin e shkëputur Nagorno-Karabakh.

Zoti Pashinyan sugjeroi se Moska, e cila ka një marrëveshje mbrojtjeje me Armeninë dhe një bazë ushtarake në atë vend, nuk e konsideroi vendin e tij si mjaftueshëm pro-rus dhe se beson se Rusia është në proces tërheqjeje nga rajoni më i gjerë i Kaukazit jugor.

 

Jerevani po përpiqet për rrjedhojë ta bëjë më të shumëllojshëm kuadrin që garanton sigurinë e vendit, tha ai, një referencë kjo me sa duket ndaj lidhjeve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjeve për të krijuar lidhje më të afërta me vendet e tjera të rajonit.

 

“Arkitektura e sigurisë e Armenisë ishte 99.99% e lidhur me Rusinë, përfshirë edhe për blerjet e armëve dhe municionit”, tha zoti Pashinyan.

 

“Por sot shohim se Rusia ka vetë nevojë për armatime dhe municione (për shkak të luftës në Ukrainë) dhe në këtë situatë është e kuptueshme që edhe nëse dëshiron, Federata Ruse nuk mund të përmbushë nevojat e sigurisë të Armenisë. Ky shembull duhet të na demonstrojë se ndërvarësia nga vetëm një partner në çështje të sigurisë është një gabim strategjik”.

 

Fjalët e tij nxjerrin në pah indinjatën brenda Armenisë për atë që e shohin si dështim të Rusisë për të mbrojtur interesat e tyre.

 

Intervista nuk mori përgjigje të menjëhershme nga Moska, që ka drejtuar bisedimet mes Jerevanit dhe Bakusë për procesin që e quan një kërkim kompleks për një marrëveshje paqeje.

 

Moska ka refuzuar në të kaluarën kritika të tilla, ka mbrojtur veprimet e saj, dhe ka hedhur poshtë idenë se ka ulur rëndësinë e përparësive të saj në politikën e jashtme, për shkak të Ukrainës.

 

Rajoni Nagorno-Karabakh njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por 120 mijë banorët e tij janë kryesisht armenë. Rajoni u shkëput nga kontrolli i Bakusë gjatë luftës në fillimet e viteve 1990. Luftime të rënda ndodhën sërish në vitin 2020, derisa Rusia ndërmjetësoi për një armëpushim.

 

Zoti Pashinyan akuzoi paqeruajtësit rusë të dislokuar për të siguruar zbatimin e armëpushimit se nuk përmbushën detyrën e tyre./VOA/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re