Kryeministri Edi Rama e konsideron të vonuar lirimin nga Serbia të tre policëve të Kosovës, ndërsa reagoi nga Brukseli pas takimit me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

Qetësimi i menjëhershëm i situatës është rruga e duhur drejt fazës finale të dialogut për marrëveshjen e normalizimit mes Kosovës e Serbisë, theksoi kreu i qeverisë.

Sipas Ramës, qetësia në Ballkan është detyrim madhor nga të dyja palët.

“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar! Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, shkruan Rama.

 

Gjykata e Kralevës përpara së cilës dolën tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe më 14 qershor vendosi lirimin e tyre. Si Prishtina zyrtare, ashtu edhe Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistuan vazhdimisht që autoritetet serbe t`i linin të lirë Rifat Zekën, Beqir Sefin dhe Mustafë Shemin.

Arrestimi i tre policëve shkaktoi reagimin e ashpër të Prishtinës, që vazhdoi të insisonte se efektivët e kufirit ishin rrëmbyer brenda territorit të Kosovës. Beogradi nga ana tjetër deklaronte se ishin kapur në tokën serbe. Autoritetet serbe pretendonin se dyshoheshin për veprat penale te prodhimit, zotërimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, që bartin në vetvete dënimin me deri në 12 vjet heqje lirie.

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht  këmbënguli në lirimin e tyre pa kushte. Thirrje drejtoi dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e cilësoi mbajtjen e tyre në paraburgim si “mbajtje peng” dhe kritikoi qëndrimin që ka mbajtur Serbia.

Burime nga Brukseli pohojnë tani se Rama ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha palët e përfshira, europianët, amerikanët e serbët.

Sipas tyre, kreu i ekzekutivit shqiptar ka ushtruar influencën e tij për lirimin e Rifat Zekës, Beqir Sefit dhe Mustafë Shemit, jo vetëm drejtpërdrejtë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç duke e pohuar edhe publikisht se çdo nismë rajonale do të kthehej në zero nëse policët nuk liroheshin, por edhe duke shfrytëzuar lidhjet e ngushta të Vuçiçit me kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili pak ditë më parë vizitoi Tiranën dhe njihet për marrëdhëniet e ngushta miqësore me kreun e shtetit serb.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re